Bideni e anulon vizitën në samitin për “planin e fitores” të Zelenskyt në Gjermani
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka anuluar një vizitë katërditore këtë javë në Gjermani, e cila synohej të kulmonte në një samit për ta diskutuar “planin e fitores” të Volozymyr Zelenskyt për Ukrainën.
Shtëpia e Bardhë tha të martën në mbrëmje se presidenti do të qëndronte në ShBA për t’i “mbikëqyrur përgatitjet dhe reagimin” ndaj uraganit “Milton”, që pritet të arrijë në territorin tokësor të Floridës të mërkurën, raporton gazeta “The Guardian”.
Nuk qe e qartë se si mungesa e presidentit amerikan do të ndikojë në samitin e planifikuar, hera e parë që udhëheqësit botërorë do të grumbulloheshin në bazën ajrore amerikane “Ramstein”, zakonisht vendtakim i ministrave të Mbrojtjes që diskutojnë për ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, premtoi se vizita e Bidenit do të ricaktohej dhe se ai i kupton arsyet e presidentit amerikan për anulimin e udhëtimit. “Do të kishte qenë një takim shumë i rëndësishëm dhe ne e përgatitëm atë në të gjitha aspektet” – shtoi gjermani.
Më herët të martën, Gjermania tha se kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, do të merrnin pjesë në samit bashkë me Bidenin dhe Scholzin. Pritej që të pranishëm të ishin gjithsej 20 udhëheqës.
Planifikohej që ata ta dëgjonin Zelenskyn duke e paraqitur versionin më të ri të “planit të fitores” për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Pritet që plani të jetë kryesisht i përqendruar në një kërkesë për ta lejuar Ukrainën që të hedhë raketa “Storm Shadow” e lloje të tjera me rreze të gjatë, të dhuruara nga Perëndimi, thellë brenda territorit të Rusisë.
Bideni ka ngurruar që t’ia japë dritën e gjelbër Ukrainës për hedhjen e raketave “Storm Shadow” ose ato të sistemit ATACMS. Një udhëtim i posaçëm i kryeministrit britanik në Uashington muajin e kaluar nuk e zgjidhi çështjen.
Një zyrtar amerikan tha të martën se qëllimi i samitit në bazën “Ramstein” është që të shprehet përkrahje afatgjatë për Ukrainën, edhe pse mbeten shqetësimet për atë se sa do të qëndrojë ky pozicion, nëse republikani Donald Trump i fiton zgjedhjet presidenciale në ShBA muajin e ardhshëm.
“Porosia për Ukrainën do të jetë që përkrahja jonë është e fuqishme dhe e qëndrueshme, ndërsa për Moskën që nuk ka dobi nga spekulimet që ne mund të luhatemi në mbështetjen tonë dhe se koha do të jetë në dobi të luftës ruse të agresionit” – shtoi zyrtari gjerman para njoftimit për anulimin e vizitës së Bidenit.
Trumpi dhe shumë prej aleatëve të tij republikanë për një kohë të gjatë kanë qenë skeptikë për vlerën e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Në fund të muajit të kaluar, Trumpi u takua me Zelenskyn në Nju-Jork dhe tha pas takimit se donte të shihte “një marrëveshje të drejtë të bërë” për t’i dhënë fund luftës./Nacionale