BBC: Të burgosurit shqiptarë po paguhen nga qeveria britanike për t’u kthyer në atdhe
Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se shumica e shtetasve të tyre që janë kthyer me forcë në atdhe nga Britania këtë vit ishin të dënuar për krime atje. Televizioni BBC ka biseduar me burrat e kthyer në atdhe dhe ka marrë vesh se disa të burgosurve u janë ofruar nga një mijë e pesëqind funte për t’u larguar dhe disa planifikojnë që të kthehen.
Fluturimet me të deportuarit për në Shqipëri janë shtuar që nga koha kur vendi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar në dhjetorin e kaluar për ta “frenuar dhe penguar migrimin ilegal”, raporton televizioni BBC.
Zyra e Brendshme e Britanisë thotë se mbi një mijë persona janë kthyer nga ajo kohë: rreth gjysma e tyre vullnetarisht, pjesa tjetër kombinim i azilkërkuesve që u janë refuzuar kërkesat dhe shkelësve të huaj.
BBC-ja bisedoi me dhjetëra njerëz në disa fluturime deportimi muajin e kaluar dhe mori vesh se shumica vinin nga burgjet britanike.
Disave u ishin ofruar të holla në këmbim të pajtimit për t’u deportuar dhe ishin liruar nga burgu para se ta kalonin dënimin minimal, sipas një skeme që përdoret për shkelësit e huaj.
Policia shqiptare konfirmoi se shumica e atyre që janë kthyer me detyrim këtë vit ishin të dënuar për krime në Britani.
Një burrë 30-vjeçar tha se ishte duke mbajtur një dënim me gjashtë vite burgim për shkelje rreth drogës dhe ishte liruar pas qëndrimit për vetëm dy vjet në burg – një vit para se ta fitonte të drejtën për lirim para kohës.
“Oficeri i imigrimit erdhi për të na parë. Na pyetën nëse donim që të ktheheshim (në Shqipëri) ose të qëndronim në Britani. Na shpjeguan se nëse do të ktheheshim, do të na hiqnin një vit burgim nga dënimi”- tha një shqiptar që nuk deshi t’i publikohej identiteti.
Atij i ishin ofruar një mijë e pesëqind funte si përkrahje financiare për t’u kthyer në atdhe, sipas një programi të quajtur “Skema për Lehtësimin e Kthimit”.
“Ishte zgjedhja ime që të kthehesha. Askush nuk më detyroi. Ata ma ofruan këtë. Më thanë: “Ti vendos nëse dëshiron që të shkosh apo të qëndrosh”- shtoi shqiptari i kthyer në Shqipëri.
Edhe të burgosurve të tjerë, me të cilët bisedoi BBC-ja, u ishte ofruar shuma e njëjtë e parave.

