Mashtrimi për viza: Burrave britanikë u ofrohen deri në 10 mijë funte për t’u paraqitur si baballarë - NACIONALE

Mashtrimi për viza: Burrave britanikë u ofrohen deri në 10 mijë funte për t’u paraqitur si baballarë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa burra britanikë po paguhen me mijëra funte për t’u paraqitur si baballarë të fëmijëve të imigrantëve, sipas një hulumtimi të televizionit BBC.

Atyre po u ofrohen deri në 10 mijë funte për t’i vendosur emrat e tyre në certifikatat e lindjes, duke u mundësuar fëmijëve shtetësi britanike dhe duke u dhënë mundësi nënave të tyre për leje të banimit.

Mashtruesit po e shfrytëzojnë rrjetin “Facebook” për të bërë biznes dhe pretendojnë se kanë ndihmuar mijëra gra në këtë mënyrë.

Rrjeti “Facebook” thotë se përmbajtja e tillë e ofertave është e ndaluar me rregullat e kompanisë.

Sipas hulumtimit, mashtrimi është duke ndodhur në komunitete të ndryshme përreth Mbretërisë së Bashkuar.

Përmes hulumtimit u zbuluan agjentë që vepronin në pjesë të ndryshme të vendit për të gjetur burra që do të pranonin të paraqiteshin si baballarë të rremë.

Një hulumtuese u fsheh për qëllime hulumtimi, duke u paraqitur si grua shtatzënë që ishte duke jetuar ilegalisht në Britani dhe foli me njerëzit që i ofronin këto shërbime.

Një agjent, që identifikohej me emrin Thai, i tha asaj se ka shumë burra britanikë që do të mund të paraqiteshin si baballarë të rremë dhe ofroi një “pako të plotë” për 11 mijë funte.

Ai e përshkoi procesin si “shumë të lehtë” dhe tha se do të bënte gjithçka që fëmijës t’ia siguronte pasaportën britanike.

Agjenti e njohu hulumtuesen me një burrë britanik të quajtur Andrew, për të cilin tha se do të paraqitej si baba i fëmijës. Andrew do të paguhej tetë mijë funte.

Gjatë takimit, Andrew e shfaqi pasaportën e vet për të vërtetuar se ishte shtetas britanik. Ai madje bëri fotografi me hulumtuesen.

BBC-ja nuk u ka dhënë të holla agjentëve që e ofruan shërbimin për t’u paraqitur si baballarë të rremë.

Nëse një grua imigrante ndodhet ilegalisht në Britani dhe lind fëmijë me baba që është shtetas britanik ose me një burrë që ka leje qëndrimi pa afat të kufizuar, foshnja e merr automatikisht shtetësinë britanike.

Nëna pastaj mund të aplikojë për vizë familjare, e cila do t’ia japë të drejtën për të mbetur në Britani dhe të aplikojë për shtetësi në kohë të caktuar.

Lajme të ngjashme