BBC: Gjenerali i lartë britanik i kishte fshehur dëshmitë për vrasjet jashtëgjyqësore në Afganistan
Njëri nga gjeneralët më të lartë të ushtrisë britanike, Gwyn Jenkins, ishte paralajmëruar me shkrim në vitin 2011 se ushtarët e njësitit SAS po pretendonin se kishin ekzekutuar të ndaluar me duar të lidhura në Afganistan.
Programi “BBC Panorama” ka marrë vesh se Jenkinsi, që tash është oficeri i dytë më i lartë ushtarak në Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, kishte pranuar shumë përshkrime bisedash në të cilat anëtarët e SAS-it i përshkruanin vrasjet jashtëgjyqësore, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, në vend të paraqitjes së këtyre dëshmive te policia ushtarake, gjenerali i kishte vendosur ato në një dosje dhe e kishte mbyllur atë në kasafortë.
Dështimi për t’i paraqitur dëshmitë te policia ushtarake është zbuluar më parë në një gjykatë, por identitetet e oficerëve të përfshirë nuk kishin nxjerrë në publik nga Ministria e Mbrojtjes.
Gjenerali Jenkins – që në atë kohë ishte kolonel i rangut të lartë në forcat speciale – e kishte formuar dosjen e klasifikuar në prill të vitit 2011, pasi fillimisht e kishte njoftuar mbikëqyrësin e tij të drejtpërdrejtë, pastaj komandantin e atëhershëm të forcave speciale, Gjeneral Jonathan Page, për natyrën e dëshmive.
Sipas ligjeve britanike, oficerët komandues e kanë detyrim ligjor që ta informojnë policinë ushtarake, nëse ata janë të vetëdijshëm për ndonjë dëshmi se është kryer ndonjë krim lufte.
Megjithatë, dosja që i përmbante dëshmitë mbeti e mbyllur në kasafortë për katër vjet dhe për të kishin njohuri vetëm pak oficerë, përderisa Jenkinsi ishte ngritur në rangun ushtarak, derisa një informator i forcave speciale e kishte njoftuar Policinë Ushtarake Mbretërore për ekzistencën e kësaj dosjeje.
Në muajin e njëjtë të formimit të dosjes së klasifikuar nga Jenkinsi, ai ishte bërë komandant i Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar në Afganistan. Ai më pas ishte bërë edhe drejtor i Forcave Speciale të Mbretërisë së bashkuar e më vonë edhe zëvendësshef i stafit të mbrojtjes, që është pozita e dytë më e lartë në ushtri. Kjo ngritje në pozita ia kishte mundësuar Jenkinsit rangimin në gjeneral me katër yje, nga dy yje sa kishte më parë.
Pretendimet për vrasje jashtëgjyqësore nga forcat speciale britanike në Afganistan tash për tash janë subjekt i një hetimi në Gjykata Mbretërore të Drejtësisë, pas raportimeve të BBC-së dhe mediave të tjera rreth bastisjeve të kryera gjatë natës nga njësiti SAS në Afganistan.
Vitin e kaluar, “BBC Panorama” kishte zbuluar se një skuadër e SAS-it kishte vrarë 54 persona në rrethana të dyshimta gjatë një misioni 6-mujor që kishte përfunduar në maj të vitit 2011.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
