Balotazhi francez i së dielës, BE-ja ka frikë nga Le Pen
Në zgjedhjet presidenciale franceze, po luftohet për të ardhmen e BE-së.
Kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, këmbëngul se nuk ka ndonjë axhendë të fshehtë të "Frexit". Por kundërshtarët pretendojnë se politikat e saj do të rrezikonin vendin e Francës në BE. Ndërsa, mbështetësit argumentojnë se Brukseli nuk ka arritur të nxjerrë mësimet nga Brexit.
Ditën e dielë, votuesit do të zgjedhin midis zonjës Le Pen dhe presidentit aktual Emmanuel Macron, i cili drejton lëvizjen centriste La République En Marche (Republika në lëvizje).
Le Pen, kryetarja e Rassemblement National (Tubimi Kombëtar), ka zbutur dukshëm qasjen e saj ndaj BE-së në këto zgjedhje, ku ministri i qeverisë franceze dhe anëtari i En Marche, Jean-Baptiste Lemoyne beson se qëndrimi i saj më i butë është për shkak të dëshirës së saj për të "pushtuar presidencën".
Ajo që tani është e padiskutueshme, është se një fitore e Le Pen do të shkaktonte valë tronditëse në Bruksel. Ndryshe nga Britania e Madhe, Franca ishte një anëtar themelues i asaj që përfundimisht u bë Bashkimi Evropian dhe tani është mbështetësi i dytë më i madh financiar i saj.
Ndërsa, Marine Le Pen dëshiron të zvogëlojë kontributet e Francës në BE, të forcojë kontrollet kufitare dhe të mbajë një referendum për ndalimin e emigracionit "të pakontrolluar".
Nga ana tjetër, Emmanuel Macron thotë se balotazhi i zgjedhjeve është një referendum për Evropën

Jonathan Eyal, drejtor i Asociuar në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore (Rusi), thotë se planet e Le Pen, mund të çojnë në “paralizë” të BE-së, nëse shtetet e tjera anëtare si Polonia dhe Hungaria bashkojnë forcat me Francën për të frenuar fuqitë e Komisionit Evropian.
Jetë e re për BE-në apo revolucion i përhershëm?
Por, një mbështetëse e Le Pen, thotë se një aleancë më e lirë e kombeve ose një sistem "opt-in, opt-out", do t'i jepte "jetë të re" BE-së.
Këshilltarja e Tubimit Kombëtar, Patricia Chagnon thotë se Le Pen dëshiron të "zhbëjë" vendet anëtare nga një "makinë e madhe burokratike" dhe argumenton se ata që "nuk pajtohen me reformimin e BE" janë ata që po i karakterizojnë politikat e Le Pen si “Frexit”.
Ndërkohë, Sylvie Kauffmann, drejtore editoriale e së përditshmes franceze Le Monde, thotë se një fitore e Marine Le Pen do të ishte vërtet një "tërmet" për BE-në.
Megjithatë, ajo vë në dukje epërsinë e vazhdueshme të Macron në sondazhe dhe faktin se, nëse Marine Le Pen do të sfidonte shanset aktuale, ajo do të kishte gjithashtu sfidën për të tërhequr një shumicë në zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Jonathan Eyal thotë se një presidencë e Le Pen mund të rezultojë shumë shkatërruese për Perëndimin, pasi që ajo "do të ishte në një gjendje revolucioni të përhershëm" si me BE-në ashtu edhe me aleancën ushtarake perëndimore, NATO-n.
Marine Le Pen, ish-deputete e Parlamentit Evropian, nuk është e panjohur për përplasjet me Brukselin.
Të hënën, ajo iu kundërpërgjigj raporteve se organi anti-korrupsion i BE-së, Olaf e ka akuzuar atë dhe kolegët e lartë për përvetësim të më shumë se 600,000 € ndërsa shërbenin si deputetë të PE.
Le Pen i përshkroi akuzat si "goditje të ulëta nga Bashkimi Evropian, vetëm pak ditë nga raundi i dytë... Unë absolutisht i mohoj këto akuza, për të cilat as që isha në dijeni".
BBC shkruan se të gjithë sytë në Bruksel tani janë të drejtuar nga debati vendimtar i drejtpërdrejtë televiziv që do të mbahet të mërkurën mes dy rivalëve, para votimit të së dielës.