Arrestohet ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro – rriten tensionet me ShBA-në - NACIONALE

Arrestohet ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro – rriten tensionet me ShBA-në

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Supreme e Brazilit e vuri në arrest shtëpiak të hënën ish-presidentin Jair Bolsonaro para gjykimit të tij nën akuzën për komplot puçi, duke e nënvizuar vendosmërinë e gjykatës pavarësisht nga taksat dhe sanksionet që po përshkallëzohen nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Gjykatësi i Gjykatës Supreme, Alexandre de Moraes, i cili ishte në shënjestër të sanksioneve nga Thesari i Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, e lëshoi urdhërarrestin kundër Bolsonaros. Në vendimin e tij përmendet si arsye dështimi për t’i respektuar urdhrat kufizues që ai ia kishte shqiptuar Bolsonaros nën dyshimin për nxitjen e ndërhyrjes së Trumpit në rast, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Bolsonaro është në gjyq në Gjykatën Supreme nën dyshimet se kishte bërë komplot me aleatët e tij për ta zhbërë me dhunë humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2022 kundër presidentit majtist, Luiz Inacio Lula da Silva. Trumpi e ka quajtur rastin “gjueti shtrigash” dhe e ka cilësuar si arsye për një taksë prej 50 për qind ndaj mallrave braziliane që do të hyjë në fuqi të mërkurën.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së e dënoi urdhërarrestin ndaj Bolsonaros, duke thënë se gjykatësi Moraes po i shfrytëzon institucionet shtetërore për t’ia mbyllur gojën opozitës dhe për ta rrezikuar demokracinë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “do t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që e ndihmojnë dhe e nxisin sjelljen e sanksionuar”.

Departamenti i Shtetit nuk ofroi hollësi rreth këtij paralajmërimi, edhe pse Trumpi ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund t’u vendosin taksa edhe më të larta mallrave të importuara nga Brazili.

Me urdhrin e së hënës nga gjykatësi Moraes Bolsonaros gjithashtu i ndalohen përdorimi i telefonit celular dhe pranimi i vizitave, me përjashtim të avokatëve të tij dhe personave të autorizuar nga gjykata.

Një përfaqësues për media i Bolsonaros konfirmoi se ai u vu në arrest shtëpiak të hënën në mbrëmje në rezidencën e tij në kryeqytetin Brasilia nga policia që ia konfiskoi telefonin celular.

Avokatët e ish-presidentit thanë në një deklaratë se ata do ta apelojnë vendimin për arrest shtëpiak, duke argumentuar se Bolsonaro nuk kishte shkelur asnjë urdhër gjykate.

Në një intervistë me agjencinë “Reuters” muajin e kaluar, Bolsonaro e quajti “diktator” gjykatësin Moraes dhe tha se urdhrat kufizues kundër tij ishin akte të “frikës”.

Disa aleatë të Bolsonaros janë shprehur të shqetësuar se taktikat e Trumpit mund të jenë duke dhënë rezultat të kundërt me qëllimin e tyre në Brazil, duke ia ndërlikuar telashet ish-presidentit dhe duke grumbulluar mbështetje për qeverinë majtiste të presidentit Lula./Nacionale

Lajme të ngjashme