Arrestime në Spanjë, kapet banda shqiptare e kontrabandimit të njerëzve - NACIONALE

Arrestime në Spanjë, kapet banda shqiptare e kontrabandimit të njerëzve

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një agjenci e krimit në Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar se është kapur një bandë shqiptare e kontrabandimit të njerëzve që merrte emigrantë në Britaninë e Madhe nëpërmjet Spanjës.

BBC raporton se, besohet që emigrantët paguanin nga 3 mijë deri në 15 mijë euro për rrugën.

Bëhet e ditur se në këtë rast, oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) nga Mbretëria e Bashkuar kanë punuar së bashku me Guardia Civil të Spanjës.

NCA tha se rrjeti i krimit kontrabandonte kryesisht emigrantë shqiptarë përmes qyteteve veriore të Spanjës, Bilbao dhe Santander për në Britani, duke përdorur tragetet dhe rrugët e transportit të mallrave për në Portsmouth, Southampton dhe Liverpool.

Agjencia tha se emigrantët kishin arritur drejtpërdrejt nga Shqipëria për në Spanjë, dhe disa ishin kapur edhe nga kampet përreth porteve spanjolle.

Kontrabandistët u kishin ofruar atyre ushqim dhe strehim, ndonjëherë edhe nëpër kamionë deri në realizimin e udhëtimit të tyre për në Mbretërinë e Bashkuar.

NCA, ka njoftuar se nga shtatë arrestimet e bëra - dy në Madrid dhe pesë në rajonin bask, besohet se dy nga burrat e kapur kanë qenë udhëheqës të bandës.

Ndërkohë, po ashtu thuhet se të gjithë personat që janë kapur në Spanjë do të përballen edhe me ndjekje penale nga gjykatat spanjolle.

Menaxheri rajonal ndërkombëtar i NCA-së, Steve Reynolds tha se oficerët hetues "u përballën me një grup krimi që ishin përgatitur të kontrabandonin migrantë në kamionë mbi një nga kalimet më të gjata të trageteve dhe mallrave në MB".

Ndërsa, duke folur në konferencën e Partisë Konservatore javën e kaluar, Sekretarja e Brendshme Suella Braverman tha se rregullat moderne të skllavërisë "po abuzohen nga njerëzit që luajnë lojën me sistemin".

Ajo tha se grupi më i madh i emigrantëve me varka të vogla janë nga Shqipëria - "një vend i sigurt" - dhe shumë pretendojnë se janë skllevër modernë.

"Kjo është pavarësisht se ata kanë paguar mijëra paund për të ardhur këtu, ose kanë bërë me dëshirë një udhëtim të rrezikshëm përtej Kanalit. E vërteta është se shumë prej tyre nuk janë skllevër modernë dhe pretendimet e tyre për trafikim janë gënjeshtra”, tha ajo.

Lajme të ngjashme