New York shpall gjendje emergjente për krizën me emigrantë
Kryetari i qytetit të New York-ut, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të premten për mijëra emigrantë të dërguar nga shtetet kufitare jugore që nga pranvera, duke thënë se kërkesa që i bëhet qytetit për të siguruar strehim dhe ndihma të tjera është "e paqëndrueshme".
"Një qytet që po rimëkëmbet nga një pandemi globale, në vazhdim po pushtohet nga një krizë humanitare e krijuar nga dora e njeriut," tha kryetari Eric Adams, duke shtuar se, “jemi në buzë të greminës...Kemi nevojë për ndihmë, dhe ne kemi nevojë për të tani.”
Deri në fund të vitit fiskal, Adams tha se qyteti priste të shpenzonte 1 miliard dollarë për të ndihmuar të ardhurit e rinj, shumë prej të cilëve varen shumë nga ndihma e qeverisë sepse ligji federal i ndalon ata të punojnë në ShBA.
Adams, një demokrat, tha se të ardhurit e rinj janë të mirëpritur në qytet, duke foluar me krenari për historinë e qytetit si një pikë zbarkimi për emigrantët e rinj.
“Njujorkezët janë kujdesur gjithmonë për vëllezërit dhe motrat tona emigrantë. Ne e shohim veten në ta. Ne shohim paraardhësit tanë në ta”, tha ai, duke shtuar se megjithatë, u mungojnë burimet.
Sistemi tashmë i sforcuar i strehimoreve të vendit ka qenë nën presion të madh për pjesën më të madhe të këtij viti për shkak të rritjes së papritur të atyre që kanë nevojë për ndihmë.
Adams njoftoi se brenda ditës në qytet arrijnë pesë deri në gjashtë autobusë me emigrantë, duke bërë thirrje për ndihmë financiare shtetërore dhe federale, si dhe për legjislacion federal që do t'i lejonte azilkërkuesit të punojnë ligjërisht më shpejt dhe për plane federale për të shpërndarë në mënyrë të drejtë azilkërkuesit në të gjithë vendin.
