Armët bërthamore, si e qortoi Trumpi, kufiri me Finlandën: Ç’tha Putini në intervistë? - NACIONALE

Armët bërthamore, si e qortoi Trumpi, kufiri me Finlandën: Ç’tha Putini në intervistë?

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë një intervistë të gjerë për mediat shtetërore të vendit të tij, pak ditë para zgjedhjeve që pritet t’ia sigurojnë edhe gjashtë vjet në pushtet. Ai foli me gazetarët e televizionit shtetëror “Rossiya-1” dhe të agjencisë shtetërore të lajmeve, RIA. Cilat ishin pikat kyçe të intervistës?

Gatishmëria bërthamore

“Nga një këndvështrim ushtarako-teknik, ne jemi, natyrisht, të gatshëm” – tha presidenti 71-vjeçar në televizionin “Rossiya-1” dhe për agjencinë ruse të lajmeve, RIA, si përgjigje ndaj pyetjes nëse vendi është vërtet i gatshëm për një luftë bërthamore.

Kreu i Kremlinit tha se ShBA-ja kupton që nëse dislokon trupa amerikane në territor rus – ose në Ukrainë – Rusia do ta trajtonte këtë lëvizje si ndërhyrje, raporton agjencia "Reuters".

Ai u pyet nëse Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po e luajnë “lojën e pulave” dhe nëse është e pashmangshme një përplasje, nëse asnjëra palë nuk tërhiqet.

“(Në ShBA) ka specialistë të mjaftueshëm në fushën e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe në fushën e vetëpërmbajtjes strategjike. Prandaj, nuk mendoj se këtu gjithçka po nxiton drejt tij (ballafaqimit bërthamor), por ne jemi të gatshëm për këtë” – tha Putini.

“Armët ekzistojnë për t’i përdorur. Ne i kemi parimet tona” – shtoi ai.

Megjithatë, presidenti rus theksoi se Rusia kurrë nuk është ballafaquar me nevojën për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë. “Pse kemi nevojë që të përdorim armë të shkatërrimit në masë? Kurrë nuk ka qenë një nevojë e tillë” – tha Putini.

Megjithatë, ai paralajmëroi se Rusia mund të zhvillojë testime bërthamore, nëse të njëjtën gjë e bëjnë Shtetet e Bashkuara. “Nuk është e nevojshme... ne ende duhet të mendojmë për këtë, por nuk e përjashtoj që ne mund ta bëjmë të njëjtë” – deklaroi kreu i Kremlinit.

Trupa në kufirin me Finlandën

Putini e kritikoi vendimin e Finlandës dhe të Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

“Ky është një hap absolutisht i pakuptimtë (për Finlandën dhe Suedinë) nga këndvështrimi i garantimit të interesave të tyre kombëtare” – tha presidenti rus.

“Ne nuk kishim trupa atje (në kufirin me Finlandën), tani ato do të jenë atje. Nuk kishte sisteme shkatërruese atje, tani ato do të shfaqen” – shtoi ai.

Zgjedhjet në ShBA

“Ne nuk ndërhyjmë në asnjë mënyrë në asnjë palë zgjedhje dhe, siç kam thënë shumë herë, ne do të punojmë me cilindo udhëheqës që besohet nga populli amerikan, nga votuesi amerikan” – tha Putini.

“Në vitin e tij të fundit si president, z. Trump, sot kandidat presidencial, më qortoi për simpatizim me Bidenin... Ai më tha në njërën nga bisedat: ti dëshiron – më falni, do ta them ashtu siç e tha ai, ky është citat – që Joe i përgjumur të fitojë” – tha presidenti rus.

“E pastaj, për befasinë time, ata filluan që ta ndiqnin penalisht atë (Trumpin), sepse ne gjoja e mbështetëm atë si kandidat. Epo, është njëfarë absurditeti i plotë” – shtoi Putini.

Sulmet ukrainase e militante në Rusi

“Qëllimi kryesor, nuk kam dyshim për këtë, është që – nëse jo të pengohen zgjedhjet presidenciale në Rusi – atëherë të paktën disi të ndërhyhet në proceset normale të shprehjes së vullnetit të qytetarëve” – tha kreu i Kremlinit.

Armët bërthamore të Koresë Veriore

“Republika Popullore Demokratike e Koresë e ka ombrellën e vet bërthamore. Ata nuk kanë kërkuar asgjë nga ne.”

Riformatimi i Qeverisë

“Duhet të flasim për këtë pas zgjedhjeve, pasi të jenë numëruar votat.”

“Mua më duket se nuk është koha e duhur që të flasim për këtë, por, në përgjithësi, Qeveria është duke punuar... është duke punuar në mënyrë goxha të kënaqshme.”/Nacionale

Lajme të ngjashme