"Arma" e re ruse M-81, del të jetë një robot kinez që shitet në AliExpress
Në panairin e armëve, Rusia ka prezantuar një robot qen të armatosur me një granatahedhës, por ekspertët thonë se në fakt ai është vetëm “një ndihmës për shtëpi”.
Në pamje të parë duket se është një vizion i tmerrshëm i luftës në të ardhmen: Një qen sulmues robotik, i armatosur me granatahedhës, i projektuar për të gjuajtur tanke dhe për të vrarë.
Por, pas një inspektimi më të afërt, “arma” e re, e zbuluar në ekspozitën e mbrojtjes të Ushtrisë Ruse-2022 në Moskë, në fakt duket të jetë një “ndihmës në shtëpi”, prodhim kinez që mund të blihet online për rreth 2900 euro.
Në fakt ky “qen” është i projektuar për të ndjekur kafshë shtëpiake, ose për të mbajtur ngarkesa të lehta, afërsisht ngarkesën e një granatahedhësi të pa ngarkuar.
“Arma” e prezantuar, ishte veshur me “pizhama" të zeza, që më shumë se një formë kauflimi, ekspertët thonë se veshja është krijuar për të mashtruar shikuesit që të mendojnë se është diçka e re.
Megjithatë, ata thonë se koka e robotit në formë gjashtëkëndëshi dhe pozicioni i dy syve të kamerës që shikojnë nga një e çarë në pjesën e përparme zbuluan të vërtetën.
Ata besojnë se roboti është në të vërtetë një 'Go1' Yushu Technology Dog që është prodhuar nga një kompani e quajtur Unitree, duke thënë se reklamat në AliExpress - një dyqan online kinez i ngjashëm me Amazon - tregojnë se qeni mund të blihet online.
Sipas The Insider, në Rusi, Go1 shitet nga një firmë e quajtur Robosobaka e cila ka lidhje me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Emergjencave.
Nuk dihet nëse qeni është në gjendje të gjuajë granatahedhësin që mbanë në shpinë, siç pretenduan “projektuesit” rusë, por duket e pamundur.
Duke folur për mediat shtetërore të hënën për këtë “sistem të armëve” që ata e quajtën M-81, projektuesit thanë gjithashtu se ai mund të përdoret për “caktimin e objektivit, patrullimin dhe sigurinë”.
Megjithatë, duke pasur parasysh se qeni duhet të shoqërohet nga një njeri që të funksionojë, duket se nuk ka gjasa që edhe këto pretendime modeste të qëndrojnë.
Ky prezantim i fundit, erdhi pavarësisht se Vladimir Putin u mburr të hënën se armët e Rusisë janë “dekada” përpara rivalëve të tyre, ndërsa u zotua t'i eksportojë ato në vendet aleate në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut.

