AP: Ndihma për Ukrainën gjithnjë më e rrezikuar, republikanët i kanë ashpërsuar kërkesat - NACIONALE

AP: Ndihma për Ukrainën gjithnjë më e rrezikuar, republikanët i kanë ashpërsuar kërkesat

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Marrëveshja për t’i ofruar Ukrainës asistencë të mëtejme amerikane deri në fund të këtij viti duket gjithnjë më larg të mundshmes për presidentin e ShBA-së, Joe Biden. Ngërçi po thellohet në Kongres pavarësisht nga paralajmërimet e llahtarshme nga Shtëpia e Bardhë për pasojat e mosveprimit, përderisa republikanët opozitarë këmbëngulin që t’i ndërlidhin këto fonde me ndryshimet e politikave kufitare e ndaj emigrantëve.

Pasi presidenti demokrat tha këtë javë se ishte i gatshëm që “të bënte kompromise të konsiderueshme për kufirin”, republikanët shpejt i përsëritën kërkesat e tyre që më parë i kishin lënë anash, duke i ngurtësuar pozicionet e tyre dhe duke tentuar që bisedimet të vendosen te e djathta, sipas një personi të afërt me bisedimet, raporton agjencia “Associated Press”.

Propozimi i fundit, i paraqitur nga negociatori republikan i Senatit, James Lankford, gjatë një takimi me një grup bërthamë të senatorëve para se ata të largoheshin nga Uashingtoni të enjten pasdite, do të mund ta detyronte Shtëpinë e Bardhë që të shqyrtojë propozime që shumë demokratë do t’i kundërshtojnë seriozisht, duke krijuar pengesa të reja në dialogun tashmë të tensionuar.

Bideni po ballafaqohet me mundësinë e shembjes së një pike kyçe të politikës së tij të jashtme – zmbrapsja e marrjes së Ukrainës nga Vladimir Putini i Rusisë - përderisa përkrahja amerikane për financimin e luftës zbehet, sidomos në mesin e republikanëve. Shtëpia e Bardhë thotë se dështimi për të miratuar më shumë ndihma deri në fund të vitit do të mund të kishte pasoja katastrofale për Ukrainën dhe për aftësinë e saj për të luftuar.

Për ta ruajtur përkrahjen e ShBA-së për Ukrainën, administrata e presidentit Joe Biden është angazhuar heshtas në bisedime në Senat për politikat kufitare javëve të fundit, duke i ofruar asistencë grupit të vogël të senatorëve që po mundohen të arrijnë një marrëveshje dhe duke treguar se cilat ndryshime të politikave do t’i konsideronte të pranueshme.

Presidenti është duke shkelur në terren delikate, duke u përpjekur që edhe t’i plotësojë kërkesat e republikanëve për t’i zvogëluar numrat historikë të emigrantëve që po arrijnë në kufirin jugor, në njërën anë, dhe duke e zbutur frikën e demokratëve se emigrimi i ligjshëm do të ngulfatet me masa të ashpra.

Demokratët i kanë paralajmëruar kolegët e tyre republikanë se koha për të arritur një marrëveshje po harxhohet. Anëtarët e Kongresit pritet të largohen nga Uashingtoni në mesin e dhjetorit për pushim dimëror.

“Republikanët duhet të tregojnë se janë seriozë për arritjen e një kompromisi, jo vetëm të hedhin në skenë në thelb politika kufitare të Donald Trumpit”- tha të enjten udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, para se republikanët ta paraqisnin kundërofertën e tyre.

Megjithatë, propozimi i ri i republikanëve u ngurtësua edhe më shumë për ndryshimet e politikave që më parë i kishin nxitur demokratët të tërhiqeshin nga bisedimet, sipas një personi të afërt me dialogun. Në propozimin e republikanëve bëhet thirrje që t’i jepet fund programit humanitar të lirimit me kusht, që tash është në fuqi për kategori ekzistuese të emigrantëve – ukrainasit, afganët, kubanët, venezuelasit, shtetasit e Nikaraguas dhe të Haitit.

Senatorët republikanë propozuan, gjithashtu, sisteme vëzhgimi si byzylykët elektronikë në këmbë për personat që ndalohen në kufi e që janë duke e pritur lirimin me kusht, përfshirë edhe fëmijët.

Edhe nëse senatorët arrijnë një marrëveshje, pengesat për miratimin e ndihmave në Dhomën e Përfaqësuesve janë të konsiderueshme. Kryetari i këtij institucioni, republikani Mike Johnson, ka dhënë shenjë se do të luftojë për ndryshime të gjera ndaj politikës së migrimit, të cilat shkojnë përtej atyre që po diskutohen në Senat. As përkrahja e gjerë nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk është e garantuar, sepse ligjvënësit progresistë dhe ata me prejardhje nga vendet latine e kanë ngritur alarmin rreth kufizimit të qasjes në azil.

Lajme të ngjashme