Anketë e re nga “Reuters”: Tkurret epërsia e Harrisit ndaj Trumpit - NACIONALE

Anketë e re nga “Reuters”: Tkurret epërsia e Harrisit ndaj Trumpit

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka tre për qind epërsi ndaj rivalit të saj republikan, Donald Trump, në garën e tyre të ngushtë para zgjedhjeve të 5 nëntorit, sipas anketës më te re të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it.

Anketa katërditore, e mbyllur të hënën, tregoi se Trumpi, që qëndronte për 6 për qind prapa Harrisit në një anketë të periudhës nga 20 deri më 23 shtator, ishte kandidati i parapëlqyer për një varg çështjesh ekonomike dhe disa votues mund të binden nga pretendimet e tij se imigrantët që ndodhen ilegalisht në vend janë të prirë për krim, pohime që janë kundërshtuar me të madhe nga akademikë e organizata, raporton agjencia “Reuters”.

Margjina e gabimit në rezultatet e anketës ishte 3 për qind, aq sa epërsia e zonjës Harris ndaj miliarderit Trump.

Pjesëmarrësit në anketë e cilësuan ekonominë se çështjen kryesore me të cilën ballafaqohet vendi. Rreth 44 për qind e tyre thanë se Trumpi ka qasje më të mirë për adresimin e “kostos së jetesës”, në krahasim me 38 për qind që menduan kështu për Harrisin.

Në mesin e një vargu të problemeve ekonomike që presidenti duhet t’i adresojë, rreth 70 për qind e pjesëmarrësve thanë se kostoja e jetesës duhet të jetë më e rëndësishmja, ndërsa një pjesë e vogël e i përmendi tregun e punës, taksat ose “të më lënë mua më mirë financiarisht”.

Trumpi mori më shumë përkrahje se Harrisi në secilën prej këtyre fushave, edhe pse votuesit me dallim 42 me 35 për qind menduan se Harrisi është kandidate më e mirë për ta adresuar dallimin mes amerikanëve mesatarë dhe të pasurve.

Duket se Trumpi po përfiton nga shqetësimi i gjerë për imigrantët, që tani për tani janë në nivelin më të lartë në Amerikë për më shumë se një shekull. Rreth 53 për qind e votuesve në anketë thanë se ata pajtoheshin me një deklaratë që “imigrantët që ndodhen ilegalisht në vend janë rrezik për sigurinë publike”, në krahasim me 41 për qind që nuk u pajtuan./Nacionale

Lajme të ngjashme