Anketë e re nga “Ipsos”-i: Harrisi e ka thelluar epërsinë ndaj Trumpit
Demokratja Kamala Harris ka 5 për qind më shumë përkrahje se republikani Donald Trump – 42 me 37 për qind – në garën për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, sipas një ankete të kompanisë “Ipsos” që u publikua të enjten.
Sipas rezultateve të anketës, epërsia e zonjës Harris ishte shtuar që nga anketa e 22 dhe 23 korrikut, e zhvilluar nga e njëjta kompani, kur demokratja kishte 37 për qind përkrahje, në krahasim me 34 për qind të Trumpit, raporton agjencia “Reuters”.
Në bazë të sondazhit të zhvilluar në mbarë vendin me 2 mijë e 45 të rritur amerikanë në periudhën prej 2 deri më 7 gusht, vetëm 4 për qind e të anketuarve e përkrahin kandidatin e pavarur për president, Robert Kennedy Jr., dukshëm më pak se 10 për qind sa e mbështesnin në korrik.
Kompania “Ipsos” e zhvilloi anketën e gushtit në mënyrë të pavarur nga agjencia “Reuters”. Anketa u zhvillua përmes internetit dhe kishte margjinë të gabimit prej 3 për qind.
Në një sondazh tjetër, kjo kompani zbuloi se Harrisi ka epërsi 42 me 40 për qind ndaj Trumpit në shtatë prej shteteve ku gara ishte më e ngushta në zgjedhjet e vitit 2020: Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolinë e Veriut, Pensilvani dhe Wisconsin.
Zonja Harris hyri në garë presidenciale më 21 korrik, kur presidenti Joe Biden, 81 vjeç, hoqi dorë nga synimi për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe i dha përkrahje nënpresidentes së tij pas një paraqitjeje të dobët në debatin kundër Trumpit më 27 qershor.
Sipas anketave të zhvilluara nga kompania “Ipsos” dhe agjencia “Reuters”, Bideni dhe Trumpi ishin në garë të ngushtë përderisa presidenti ishte ende në fushatë, edhe pse demokrati veteran kishte rezultat më të dobët në krahasim me periudhën e njëjtë të fushatës para zgjedhjeve të vitit 2020, kur e kishte mposhtur Trumpin./Nacionale