Anijet me naftë ende po arrijnë në Venezuelë pavarësisht bllokadës së Trumpit, tregojnë të dhënat - NACIONALE

Anijet me naftë ende po arrijnë në Venezuelë pavarësisht bllokadës së Trumpit, tregojnë të dhënat

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Të paktën dy anije transportuese të naftës kanë arritur në Venezuelë ditëve të fundit dhe disa të tjera i janë drejtuar këtij shteti, si shenjë e përpjekjeve të kompanisë shtetërore PDVSA për ta vazhduar shitjen e naftës së papërpunuar, edhe pse një bllokadë e vendosur nga ShBA-ja i ka zvogëluar eksportet në nivel minimal.

Presidenti amerikan, Donald Trump, këtë muaj njoftoi një bllokadë ndaj të gjitha anijeve të sanksionuara që shkojnë drejt ujërave venezuelase ose dalin prej tyre si pjesë e një strategjie për t’i bërë presion presidentit Nicolas Maduro. Vendimi i Uashingtonit i ka zvogëluar pothuajse përgjysmë eksportet e naftës këtë muaj në krahasim me nivelin e nëntorit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar dy dërgesa të plota me naftë venezuelase dhe anijet amerikane janë duke patrulluar në Detin e Karaibeve. Kjo trysni ka frikësuar shumë pronarë anijesh, duke nxitur devijime të lundrimeve e kthime prapa. Vetëm një pjesë e anijeve e kanë vazhduar lundrimin drejt Venezuelës.

Disa pronarë të anijeve kanë këmbëngulur. Të paktën dy anije nën sanksione kanë arritur në Venezuelë në ditët e fundit dhe dy të tjera, që nuk janë nën sanksione, po i afrohen bregdetit, sipas shërbimit për vëzhgim, “TankerTrackers.com”.

Dy anijet që po i afrohen Venezuelës janë pjesë e një flote që shfrytëzohet nga Kina dhe Venezuela për ta paguar borxhin me naftë të papërpunuar për portet kineze. Nuk ishte e qartë nëse Kina do të kërkonte masë përjashtuese nga ShBA-ja për ta siguruar dërgimin e këtyre ngarkesave.

Kompania PDVSA nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Ministria e Naftës e Venezuelës dhe vetë presidenti Maduro kanë thënë se eksportet e naftës do të vazhdojnë.

Lajme të ngjashme