Angelina Jolie e akuzon Brad Pitt-in për abuzim në aeroplan privat
Angelina Jolie ka paraqitur dokumente në gjykatë për ta akuzuar ish-bashkëshortin, Brad Pitt, për sulm në gjendje të dehur ndaj saj dhe fëmijëve të tyre gjatë një fluturimi me aeroplan privat, duke e nxitur aktoren që të paraqiste kërkesë për ndarje.
Në një padi për një punishte vere që e kishin blerë dy aktorët e njohur, Jolie thotë se Pitt-I e kishte kapur për koke dhe i kishte sulmuar dy fëmijët e tyre gjatë një fluturimi në vitin 2016. Ai i ka mohuar akuzat, raporton televizioni BBC.
Një burim i afërt me aktorin i tha televizionit se pretendimet e aktores Jolie janë të rreme.
Pretendimi i saj për sjelljen e ish-bashkëshortit gjatë fluturimit të datës 14 shtator 2016 është parë edhe në dokumentet e mëparshme të gjykatës, por hollësi të reja u paraqitën në dokumentin e së martës në Los Agneles nga ekipi ligjor i aktores.
E tërë kjo është pjesë e një padie aktuale për një shtëpi dhe një punishte vere në jug të Francës, të cilat çifti i kishte blerë së bashku.

Aktori Pitt thotë se ai dhe ish-bashkëshortja e tij ishin pajtuar që të mos i shisnin pjesët e tyre në pronë pa lejen e njëri-tjetrit.
Aktorja e refuzon këtë dhe e fajëson ish-bashkëshortin për përfundimin e bisedimeve për blerjen e aksioneve të saj në pronë.
Në ankesën e së martës thuhet se aktori ishte fizikisht dhe emocionalisht abuzues ndaj ish-bashkëshortes dhe gjashtë fëmijëve të tyre – të moshave 8 deri në 15-vjeçare në atë kohë – gjatë fluturimit me aeroplan privat.
Avokatët e aktores pretendojnë se aktori Pitt filloi të bërtiste, duke e akuzuar atë se ishte “shumë e respektueshme ndaj fëmijëve”. Pak pas fillimit të fluturimit, aktori “e tërhoqi atë deri në tualet”, në pjesën e pasme të aeroplanit, thuhet në padi.
“Pitt-i e kapi Jolie-n për koke dhe e tundi, pastaj ia kapi krahët dhe e tundi përsëri para se ta shtynte për murin e tualetit”, thuhet më tej.
“Pitt-i më pas e goditi tavanin e aeroplanit disa herë, duke e nxitur Jolie-n që të largohej nga tualeti”, shtohet në padi.
Në anën tjetër, Pitt-i e ka paditur ish-bashkëshorten me pretendimin se vendimi i saj për t’ia shitur pjesën e aksioneve në pronën në Francë një oligarku rus përbën përpjekje për ta minuar investimin e tij./Nacionale
