Brad Pitt padit Angelina Jolien, ia shiti oligarkut rus pjesën e saj të vreshtarisë pa i marrë leje - NACIONALE

Brad Pitt padit Angelina Jolien, ia shiti oligarkut rus pjesën e saj të vreshtarisë pa i marrë leje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Angelia Jolie pretendohet se ka menduar "ta dëmtonte" ish-burrin Brad Pitt, kur ajo shiti pjesën e saj të aksioneve të një vreshtarie të përbashkët te një oligark rus, sipas dokumenteve të reja ligjore.

Pitt po e padit ish-gruan e tij pasi shiti pjesën e vet të aksioneve të një vreshtarie në Francë, të cilën ata së bashku e kishin zotëruar nga viti 2008.

Ai tha se vendimi për t'ia shitur oligarkut rus pjesën e saj, e detyroi atë të krijonte partneritet me "një të panjohur me lidhje dhe qëllime të dëmshme".

Jolie ende nuk ka komentuar publikisht rreth çështjes.

Çifti bleu një pronë në Chateau Miraval SA, një kompani franceze që përfshin një shtëpi dhe vresht në jug të Francës, në vitin 2008.

Çifti u martua gjashtë vite më vonë atje. Pitt thotë se ai dhe ish-gruaja e tij u pajtuan të mos shisnin aksionet e tyre te dikush tjetër, pa marrë lejen e tjetrit paraprakisht.

Në dokumentacionin ligjor të siguruar nga agjensioni i lajmeve "PA", thuhet se Jolie shiti pjesën e saj te një prodhues i pijeve alkoolike me bazë në Luksemburg, i kontrolluar nga oligarku rus, Yuri Shefler, pa dijeninë e Pitt.

"Nuk kontribuoi fare"

Padia potencon se shitja ndihmoi në marrjen "armiqësore" të biznesit, të cilin aktori "me kujdes e kishte ndërtuar".

Avokatët e Pitt thanë se nën udhëheqjen e tij, biznesi ishte rritur në "një storie multimilionëshe të suksesit ndërkombëtarisht", edhe pse Jolie "nuk kishte kontribuar fare".

"Përmes kësaj shitjeje, Jolie mendoi të dëmtonte Pitt", sipas dokumenteve, të cilat u dorëzuan javën e kaluar.

"Jolie e dinte se Shefler dhe bashkëpunëtorët e tij do të mundoheshin të kontrollonin biznesin që Pitt e kishte ndërtuar dhe të nënvlerësonin investimin e Pitt në Miraval".

Shtohet se Shefler "ka fituar famë përmes taktikave të biznesit të prerë dhe shoqatave të dyshimta profesionale" dhe lidhja me të "vë në rrezik reputacionin e brendit që Pitt me kujdes e kishte ndërtuar.

"Krejt kjo është rezultat direkt i sjelljes së paligjshme të Joliet.

"Në shkeljen e marrëveshjes së palëve, Jolie ka menduar ta detyrojë Pitt të krijojë partneritet me një të huaj, edhe më keq, një të huaj me lidhje dhe qëllime të dëmshme".

Prona e Miraval është e vendosur në fshatin Correns në jug-lindje të Francës, dhe ishte blerë nga çifti për 25 milionë euro.

Pitt thuhet të ketë kontribuar me 60% të shumës së blerjes, me Jolien që ka paguar 40% e mbetur.

Avokatët gjithashtu thanë se biznesi i vreshtarisë vazhdon të shkëlqejë dhe "edhe pse përfitoi nga suksesi i Miraval, Jolie nuk u përfshi fare në përpjekje".

Aktorja aplikoi për divorc më 2016.

Jolie raportohet se informoi Pitt për vendimin e saj për t'ia shitur vreshtarinë Shefler në janar të vitit 2021, duke thënë se ajo ka ardhë në këtë "vendim të dhimbshëm, me zemër të rënduar".

Avokatët e Pitt kanë kërkuar gjykim me juri. Përfaqësuesit e Joliet nuk i janë përgjigjur kërkesës së 'BBC' për koment.

Lajme të ngjashme