Angelina Jolie dorëhiqet pas 20 vitesh si e dërguar e OKB-së për refugjatët - NACIONALE

Angelina Jolie dorëhiqet pas 20 vitesh si e dërguar e OKB-së për refugjatët

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Aktorja amerikane fituese e çmimit Oscar, Angelina Jolie, ka njoftuar se do të largohet nga roli i saj si ambasadore e agjencisë së OKB-së për refugjatët UNHCR pas më shumë se 20 vitesh.

Në një postim në faqen e saj në Instagram, ylli i Hollivudit ka shkruar: “Pas mbi 20 vitesh, sot po largohem nga puna ime me agjencinë e OKB-së për refugjatët.”

"Unë besoj në shumë gjëra që bën OKB-ja, veçanërisht jetët që shpëton përmes ndihmës emergjente," ka thënë Jolie, 47 vjeç, duke shtuar se: "Unë do të punoj tani me organizata të udhëhequra nga njerëz të prekur më drejtpërdrejt nga konflikti, që u japin zërin më të madh."

Jolie nuk ka dhënë detaje rreth organizatave me të cilat po planifikonte të punonte.

Ndërkohë, UNHCR ka thënë se ajo ishte një nga avokatet më me ndikim të të drejtave të refugjatëve, duke shtuar se Angelina Jolie do të "angazhohet në një grup më të gjerë çështjesh humanitare dhe të të drejtave të njeriut".

Në deklaratën e UNHCR, thuhej se, "Jolie ka punuar pa u lodhur, duke kryer më shumë se 60 misione në terren për të dëshmuar historitë e vuajtjeve, si dhe shpresën dhe qëndrueshmërinë".

Kujtojmë se, muajt e fundit aktorja ka takuar njerëz të zhvendosur në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, Jemen dhe gjithashtu Burkina Faso.

Lajme të ngjashme