Analizë: Përderisa lufta në Ukrainë zgjatet, ekonomia e Evropës zhytet në krizë - NACIONALE

Analizë: Përderisa lufta në Ukrainë zgjatet, ekonomia e Evropës zhytet në krizë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pritej të ishte vit shkëlqyes i Evropës.

Reuters

Euforia e shpenzimit pas pandemisë, e përkrahur nga shpenzimet qeveritare, pritej që ta udhëhiqte ekonominë dhe t’i ndihmonte amvisëritë e dobësuara që ta rifitojnë ndjenjën e normalitetit pas dy viteve të tmerrshme.

Por e tërë kjo ndryshoi më 24 shkurt me pushtimin rus të Ukrainës. Normaliteti është larguar dhe kriza është bërë e përhershme.

Recesioni tash është pothuajse i sigurt, inflacioni po u afrohet numrave dyshifrorë dhe dimri me mungesë të energjisë po afrohet shpejt.

Ndonëse e zymtë, kjo perspektivë ka gjasë që të përkeqësohet para ndonjë përmirësimi të konsiderueshëm më 2023.

“Kriza është normalja e re. Ato me të cilat jemi mësuar në dekadat e fundit – inflacioni i ulët, tregtia ndërkombëtare – kanë mbaruar”, u tha investitorëve Alexandre Bompard, shef ekzekutiv i rrjetit të shitjes me pakicë, “Carrefour”.

Ndryshimi është dramatik. Një vit më parë, shumica e parashikuesve parashikuan rritje ekonomike prej gati 5 për qind për vitin 2022. Tash, recesioni dimëror po bëhet rasti bazë.

Amvisëritë dhe bizneset po vuajnë përderisa pasojat e luftës – çmimet e larta të ushqimit dhe energjisë – tashmë janë përkeqësuar nga një thatësi shkatërruese dhe niveli i ulët i ujit të lumenjve, që e kufizon transportin.

Me 9 për qind, inflacioni në zonën e euros është në nivelin që nuk është parë për gjysmë shekulli dhe po e than fuqinë blerëse, pasi të hollat po shfrytëzohen për naftë, gaz dhe ushqime themelore.

Shitjet me pakicë tashmë po pakësohen, disa muaj para fillimit të periudhës së ngrohjes, ndërsa blerësit po i pakësojnë blerjet. Në qershor, vëllimi i shitjeve me pakicë ra për gati 4 për qind në krahasim me një vit më parë. Në Gjermani u shënua rënie prej 9 për qind e shitjeve.

Konsumatorët po i zgjedhin zinxhirët me zbritje dhe po heqin dorë nga prodhimet e shtrenjta. Ata gjithashtu kanë filluar që të shmangin blerje të caktuara.

“Jeta po bëhet më e shtrenjtë dhe konsumatorët ngurrojnë që të konsumojnë”, tha Robert Gentz, njëri nga shefat ekzekutivë të rrjetit gjerman të shitjeve me pakicë, “Zalando”.

Deri më tani, bizneset ia kanë dalë mirë duke iu falënderuar fuqisë së mrekullueshme të çmimeve për shkak të kufizimeve të vazhdueshme të furnizimit, por sektorët me energji intensive tashmë po vuajnë.

Gati gjysma e kapacitetit për shkrirje të aluminit dhe zinkut në Evropë tashmë është jashtë funksionit përderisa një pjesë e madhe e prodhimit të plehrave, që varet nga gazi natyror, është ndërprerë.

Turizmi ka qenë pikë e rrallë shndritëse. Njerëzit po synojnë që të shpenzojnë një pjesë të kursimeve të grumbulluara dhe ta shijojnë verën e parë të shkujdesur që nga viti 2019.

Sidoqoftë, edhe sektori i udhëtimeve është i kufizuar nga mungesa e kapaciteteve, pasi punëtorët që u larguan gjatë pandemisë ngurruan që të ktheheshin në vendet e tyre të punës.

Aeroporte kyçe, si ai i Frankfurtit dhe i Londrës u detyruan që ta kufizonin numrin e fluturimeve thjesht për shkak të mungesës së stafit për kontrollimin e pasagjerëve. Në aeroportin e Amsterdamit, koha e pritjes mund të ishte dier në katër ose pesë orë këtë verë.

Recesioni “po e nxjerr kokën”

Ka gjasë që dhimbja të rëndohet, sidomos nëse Rusia e pakëson edhe më tej furnizimin me gaz.

“Shoku i gazit sot është shumë më i madh; është gati shoku i dyfishtë që e kemi pasur në vitet e shtatëdhjeta me naftën. Kemi parë rritje të dhjetëfishtë ose të njëmbëdhjetëfishtë të çmimit të gazit natyror në Evropë në dy vitet e fundit”, tha Caroline Bain nga “Capital Economics”.

Përderisa BE-ja ka zbuluar plane për ta përshpejtuar kalimin e saj në energji të ripërtëritshme dhe për t’u larguar nga gazi rus deri më 2027, mungesa e furnizimit po e detyron Bashkimin Evropian që të kërkojë 15 për qind pakësim të konsumimit të gazit këtë vit.

Sidoqoftë, pavarësia energjetike ka kosto. Për njerëzit e rëndomtë, kjo do të nënkuptojë shtëpi dhe zyra më të ftohta në të ardhmen e afërt. Për shembull, Gjermania dëshiron që hapësirat publike të ngrohen vetëm deri në 19 gradë këtë dimër në krahasim me rreth 22 gradë më parë.

Për më tepër, kjo gjendje do të nënkuptojë kosto më të lartë të energjisë dhe, rrjedhimisht, inflacion, pasi blloku duhet të heqë dorë nga furnizimet më të mëdha dhe më të lira me energji.

Për bizneset, kjo do të thotë më pak prodhim, gjë që e dëmton edhe më tej rritjen, sidomos në industri.

Çmimi me shumicë i gazit në Gjermani është pesëfishuar brenda një viti, por klientët janë të mbrojtur nga kontratat afatgjate, prandaj ndikimi ka qenë shumë më i vogël./Nacionale

Lajme të ngjashme