Analistët: Putini po i çon përpara qëllimet e veta, ndërsa para Trumpit po lëshon pe pak
Presidenti rus, Vladimir Putin, i është afruar synimit të tij për riparimin e marrëdhënieve të Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe futjes së një pyke mes ShBA-së e Evropës, ndërkohë duke ofruar vetëm pak kontribut drejt përpjekjeve të homologut amerikan, Donald Trump, për paqe në Ukrainë.
Para telefonatës së gjatë të së martës mes dy presidentëve, pala amerikane kishte thënë se do ta kërkonte pajtimin e Rusisë me një armëpushim 30-ditor në luftën me Ukrainën, propozim që Ukraina e kishte pranuar në parim, si hap i parë drejt një pakti për paqe të përhershme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në vend të kësaj, Putini u pajtua vetëm për një armëpushim shumë më të ngushtë, në të cilin Rusia e Ukraina do t’i ndalnin sulmet ndaj objekteve energjetike të njëra-tjetrës për një muaj.
Ai ishte i kujdesshëm që të sigurohej që Trumpi të mos dukej sikur po mbetet duarthatë: ishte hera e parë në më shumë se tre vjet luftë që dy palët ishin pajtuar për t’i pakësuar armiqësitë madje edhe për një kohë të shkurtër dhe Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet për armëpushim detar në Detin e Zi si dhe për një armëpushim më të plotë do të fillonin menjëherë.
Pauzimi i sulmeve ndaj objekteve energjetike dhe në det do të ishte kufizim domethënës ndaj Ukrainës, e cila që nga fillimi i luftës i ka dhënë goditje të mëdha infrastrukturës ruse të naftës, burim kyç i financimit të konfliktit, dhe ndaj forcave detare të Rusisë, shumë më të mëdha se ato ukrainase.
Megjithatë, Rusia tani është e lirë që ta vazhdojë ofensivën e saj ushtarake në terren tokësor, posaçërisht në rajonin e saj perëndimor të Kurskut, ku është afër dëbimit të forcave ukrainase që kishin marrë nën kontroll një pjesë territori gjatë sulmit të befasishëm të gushtit.
Putini i ritheksoi kushtet e Rusisë për një armëpushim më të gjatë – që ai nuk duhet të shfrytëzohet nga Kievi për të grumbulluar rezerva armësh e për të mobilizuar më shumë ushtarë. Ukraina i kundërshton këto kushte, përcjell gazeta "Nacionale".
Nigel Gould-Davies, specialist për Rusinë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër, tha se Putini praktikisht e ka refuzuar armëpushimin më të gjerë dhe ka pak gjasa që ta shqyrtojë atë seriozisht, përpos nëse Trumpi e përmbush kërcënimin për shtimin e presionit ekonomik ndaj Rusisë me sanksione të reja.

“Ai ka thënë se është i interesuar (për armëpushim), por ka vendosur një grup kushtesh qartazi të papranueshme për të. Është një “jo” me një emër tjetër” – tha Gould-Davies në një intervistë të zhvilluar përmes telefonit.
Ndihmësit e Trumpit po e paraqesin telefonatën me Putinin si sukses dhe si një hap të rëndësishëm drejt armëpushimi.
“Deri rishtazi, ne vërtet nuk kishim konsensus rreth këtyre dy aspekteve – armëpushimi për energjinë dhe infrastrukturën dhe moratoriumi për të shtënat në Detin e Zi – dhe sot ne arritëm në atë vend dhe mendoj se është distancë relativisht e shkurtër deri te një armëpushim i plotë” – tha emisari i Trumpit, Steve Witkoff.
Sidoqoftë, Andrei Kozyrev, figurë pro-perëndimore që ka shërbyer si ministër i Jashtëm i Rusisë në vitet e nëntëdhjeta dhe jeton jashtë vendit, i tha kanalit të lajmeve “Dozhd” se Trumpi nuk ka arritur asgjë.
“Është tërësisht në interesat e Putinit që ta vazhdojë luftën dhe ta kapë Amerikën për hunde” – tha ai.
Një burim rus i afërt me Kremlinin agjencisë “Reuters” i tha: “Putini po mundohet t’i bëjë trysni Trumpit dhe do ta vazhdojë luftën. Ukrainasit do të tërhiqen dhe ngadalë do të humbin territor e njerëz.”
Kozyrev-i tha se Putini nuk ka hequr dorë nga asgjë përmes marrëveshjes për armëpushim rreth energjisë, për të cilin tha se në çfarëdo rasti ishte “shumë i turbullt”.
Gould-Davies tha se është e qartë që Putini, i cili gjithashtu e ka përmendur mundësinë e marrëveshjeve biznesore fitimprurëse me kompani amerikane, “dëshiron që të merret me ShBA-në dhe vetëm me ShBA-në” në përpjekje për ta ndarë Uashingtonin nga aleatët e NATO-s.
“Kjo e lë Evropën të detyruar që t'i mobilizojë shumë shpejt burimet për mbrojtjen e vet dhe duke shpresuar se disi do të mund ta kufizojë shkëputjen që është duke u bërë” – tha ai./Nacionale