Ambasadori rus në Uashington: Rrezik i lartë për përplasje mes Rusisë dhe ShBA-së
Ambasadori i Federatës Ruse në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, është cituar nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Tass”, të ketë thënë se rreziku për përplasje mes dy vendeve është i lartë.
Raportohet se ai i ka krahasuar marrëdhëniet mes dy fuqive botërore si “një epokë e akullit” dhe se është vështirë të thuhet se kur mund të rifillojnë bisedimet mes dy palëve, shkruan “The Guardian”, përcjell “Nacionale”.
Ky ambasador citohet të ketë thënë se Uashingtonit i nevojitet kohë “për ta kuptuar kotësinë e politikës së vet ndaj Moskës”.
“Thënë prerazi, sot është vështirë të thuhet se kur ky dialog – dialogu për stabilitetin strategjik – mund të rifillohet. Ne nuk e kemi ngrirë atë, ne nuk kemi shpallur luftë prokurë kundër ShBA-së, ne nuk e kemi hedhur tërë makinerinë ushtarake e industriale të NATO-s në territorin ukrainas për ta luftuar Federatën Ruse”- tha Antonovi.
Kremlini të enjten i akuzoi Shtetet e Bashkuara se po zhvillojnë një luftë me prokurë kundër Rusisë, pasi Uashingtoni i shtoi zotimet për përkrahje ushtarake për Ukrainën dhe e priti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të enjten se pakoja më e re amerikane për përkrahje për Ukrainën – e cila e përfshin sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot” – “nuk është ndihmuese për një zgjidhje të shpejtë”.
Si pjesë e pakos amerikane, ushtarët ukrainas do të trajnohen për përdorimin e sistemit “Patriot” në Gjermani dhe pastaj do të nevojiten disa muaj para se ta përdorin atë në fushën e betejës.
