ShBA-ja pritet të miratojë pako 45-miliardëshe të ndihmave për Ukrainën
Ligjvënësit amerikanë pritet që të premten të miratojë një pako 45-miliardëshe të ndihmave për Ukrainën, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u kthye nga Uashingtoni me premtimin për dhurimin e sistemit “Patriot” për mbrojtje ajrore.
Të enjten, Senati i Shteteve të bashkuara miratoi 44,9 miliardë dollarë për ndihma për Ukrainën si pjesë e një projektligji për financimin e qeverisë amerikane deri më 30 shtator, të cilin pritet ta votojë Dhoma e Përfaqësuesve të premten.
Megjithatë, është e paqartë nëse përkrahja e Kongresit për Ukrainën do të qëndrojë edhe pasi republikanët ta marrin shumicën e ngushtë të ulëseve në Dhomën e Përfaqësuesve në fillim të vitit të ardhshëm.
Edhe kur po lufton për mbijetesë, Ukraina po zhvillon, në të njëjtën kohë, luftë kundër korrupsionit për t’i siguruar donatorët ndërkombëtarë se paratë e tyre do të shpenzohen në mënyrën e duhur.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska do të gjejë një mënyrë për t’iu kundërvënë sistemeve “Patriot”, por kërkoi që luftimet të përfundojnë. “Qëllimi ynë nuk është që ta sjellim rrotën e konfliktit ushtarak, por, në të kundërtën, për t’i dhënë fund kësaj lufte”- tha ai.
Si kundërpërgjigje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se veprimet e Rusisë tregojnë që Putini është qartazi i vendosur për ta eskaluar pushtimin e Ukrainës.
