Ambasada e ShBA-ve tallet me Dodikun pasi ai tha që mund të spiunojë ShBA-në - NACIONALE

Ambasada e ShBA-ve tallet me Dodikun pasi ai tha që mund të spiunojë ShBA-në

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë, i ka përshkruar të enjten pretendimet e liderit serb të Bosnjës se shërbimet e tij të sigurimit po përgjojnë ambasadorin amerikan në Sarajevë si “fryrje”, duke shtuar se ai dhe politikat e tij separatiste janë “bixhoz” me të ardhmen e entitetit serb në shtetin ballkanik.

Sipas AP-së, Milorad Dodik, një anëtar i presidencës trepalëshe të Bosnjës, pohoi në një tubim parazgjedhor të mërkurën se agjencia e spiunazhit serb të Bosnjës tani është në gjendje të dëgjojë bisedat e ambasadorit të ShBA-së, Michael Murphy dhe stafit të tij.

“Jo vetem ata ne, edhe ne po i dëgjojmë ata tani”, u tha Dodik mbështetësve të tij, duke shtuar se, "unë e di se për çfarë po flasin."

Në përgjigje, ambasada e ShBA-se ka shkruar në Twitter, duke thënë se:

"Ajo që ne themi privatisht është e njëjtë me atë që themi në publik - Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe karakterit multietnik të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe ne do t'i përgjigjemi çdo aktiviteti destabilizues, anti-Dayton" - referuar një marrëveshjeje paqeje të vitit 1995 të arritur në Dejton, Ohio, midis boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve që i dha fund një lufte që la të paktën 100,000 njerëz të vdekur dhe miliona të pastrehë.

Megjithëse marrëveshja e paqes i dha fund gjakderdhjes, ajo e la Bosnjën thellësisht të ndarë midis federatës boshnjako-kroate dhe entitetit serb të quajtur Republika Srpska. Ndërsa, Dodik haptazi përpiqet të ndajë entitetin serb nga Bosnja dhe ta bashkojë atë me Serbinë fqinje.

“Të gjitha zhurmat e Dodik nuk mund të ndryshojnë faktin themelor që RS nuk është shtet. Është një nga dy entitetet e BiH-së”, thuhej më tej në postimin e ambasadës në Twitter. “Ndjekja e tij për një “Srpska të Pavarur në BIH” nuk po mbron RS-në apo banorët e saj, por po luan kumar me të ardhmen e tyre.”

Dodik, i njohur për qëndrimin e tij pro-rus, ka qenë nën sanksionet financiare dhe të udhëtimit që nga muaji janar, pasi administrata Biden e akuzoi atë për “aktivitete korruptive” që kërcënojnë të destabilizojnë rajonin.

Ndërkohë, mediat në Bosnje thonë se Dodik është në mesin e politikanëve të cilët që nga viti 2014 janë paguar nga Rusia në këmbim të ushtrimit të ndikimit pro-Kremlinit.

Kujtojmë se, sipas një rishikimi të sapodeklasifikuar nga Inteligjenca e ShBA-së, Rusia ka shpenzuar të paktën 300 milionë dollarë për të ndikuar në politikën e mbi 20 shteteve, e në Perëndim ka frikë se Rusia – përmes serbëve të Bosnjës dhe aleatit të saj ballkanik, Serbisë, po punon për destabilizimin e Bosnjës në mënyrë që të zhvendosë një pjesë të vëmendjes botërore nga lufta e saj kundër Ukrainës.

Duke festuar një festë të krijuar së fundmi që promovon unitetin serb në Ballkan, Dodik përsëriti se bashkimi me Serbinë mbetet qëllimi kryesor për serbët e Bosnjës.

“Sot serbët kanë dy shtete, Republika Srpska dhe Serbia, por ne gjithmonë do të përpiqemi të luftojmë për unitet,” tha ai.

Në këto festime, të mbajtura në Bosnjën veriore të enjten mori pjesë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “momenti historik kërkon që ne të bashkohemi dhe së bashku të mposhtim çmendurinë që mund t'i kthejë këto rajone përsëri në një thertore”.

Lajme të ngjashme