Aleatët e Ukrainës zotohen që t’i heqin nga tregu global naftën dhe gazin rus - NACIONALE

Aleatët e Ukrainës zotohen që t’i heqin nga tregu global naftën dhe gazin rus

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 20 shtete që e përkrahin Ukrainë janë zotuar që “t’i heqin nga tregu global naftën dhe gazin rus” si pjesë e përpjekjeve për t’i bërë presion presidentit rus, Vladimir Putin, që t’i japë fund luftës.

“Ne do ta shterojmë financimin për makinerinë e luftës të Rusisë” – tha kryeministri britanik, Keir Starmer, pas organizimit të një samiti të “koalicionit të vullnetit” në Londër, raporton televizioni BBC.

Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara ditëve të fundit i kanë sanksionuar dy kompanitë më të mëdha ruse të naftës, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vënë në shënjestër gazin natyror të lëngëzuar që vjen nga Rusia.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në Londër, tha se presioni ndaj Rusisë është mënyra e vetme për t’i ndalur luftimet. Megjithatë, në samit nuk u njoftua ndonjë dërgesë e raketave me rreze të gjatë për Ukrainën.

Zelensky për një kohë të gjatë ka argumentuar se raketat amerikane “Tomahawk” dhe raketa të tjera evropiane do të ndihmonin që Rusisë t’i rritej kostoja e luftës duke goditur caqe kyçe ushtarake thellë brenda Rusisë, përfshirë rafineritë e naftës dhe depot e armëve.

Megjithatë, gjatë bisedimeve javën e kaluar në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, para Zelenskyt la të kuptohej se nuk ishte i gatshëm që t’ia ofronte këto raketa Ukrainës.

Të enjten, presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se nëse “armë të tilla përdoren për ta sulmuar territorin e Federatës Ruse, kundërpërgjigjja do të jetë... dërrmuese”.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për gazetarë pas samitit të Londrës, kryeministri britanik tha se Putini “nuk është serioz për paqen”, prandaj aleatët e Ukrainës u pajtuan për një “plan të qartë për pjesën e mbetur të vitit” rreth mbështetjes së Ukrainës.

Starmeri tha se këtu përfshihet edhe shënjestrimi i aseteve sovrane të Rusisë “për të zhbllokuar miliarda që të ndihmohet financimi i mbrojtjes së Ukrainës”. Ai nuk dha hollësi për këtë plan./Nacionale

Lajme të ngjashme