Alarmon ministri francez: Fitorja e Le Pen-it sjell aleancë me Putinin, prerje raportesh me Gjermaninë
Kryeministri i Francës, Jean Castex, tha të martën se presidenti i tanishëm, Emmanuel Macron, nuk e ka të garantuar fitoren në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 24 prill kundër kandidates së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen. Ministri i Financave, Bruno Le Maire, paralajmëroi ndryshime të frikshme të politikës së jashtme të Francës, nëse fiton zonja Le Pen.
“Loja nuk është kryer përfundimisht. Dikush i vë Emmanuel Macron-in dhe Marine Le Pen-in në të njëjtin nivel, por ka dallime kyçe”, tha kryeministri francez.
Sipas anketave, presidenti i tanishëm është në epërsi për rundin e dytë të zgjedhjeve, që mbahet të dielën. Macron-i dhe Le Pen-i po mundohen që t’i tërheqin votuesit që në rundin e parë e kanë votuar udhëheqësin e së majtës ekstreme, jean Luc Melenchon, pasi ai doli i treti në procesin zgjedhor të 10 prillit, kur mori rreth 22 për qind të votave.
Partia e majtistit Melenchon nuk u ka dhënë udhëzime përkrahësve të saj se cilin kandidat ta votojnë në rundin e dytë, pasi me konsultime të brendshme u zbulua se shumica do të abstenojnë ose do të dorëzojnë fletëvotim të zbrazët më 24 prill, duke e bërë edhe më të paqartë rezultatin.
Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha për “Radio Europe 1” se kandidatja Le Pen do t’ua jepte sovranitetin presidentit rus, Vladimir Putin, dhe Rusisë, nëse zgjidhet presidentje, pasi më parë ka thënë fjalë admirimi për të.
“I dëgjova propozimet e Le Pen-it për politikë ndërkombëtare. Ky është fundi i sovranitetit francez”, tha ai, duke shtuar se fitorja e saj do të çonte në aleancë me Putinin, mungesë të mbrojtjes së NATO-s dhe ndërprerje të marrëdhënieve me Gjermaninë.