Alarm në Gjermani për rezultatit te testit PISA: Kurrë më keq, fëmijët e imigrantëve edhe më dobët
“Nxënësit gjermanë nuk kanë qenë kurrë më keq.” Kështu nis artikulli kryesor i gazetës gjermane “Bild” pas publikimit të rezultateve të testit PISA. “Hulumtimi PISA tregon në mënyrë alarmante se ata nuk mund të llogarisin më dhe se gjithashtu kanë shumë për të nxënë, kur bëhet fjalë për lexim dhe shkencë”- vazhdon artikulli.
Duke e paraqitur hulumtimin, Francesco Avvisati nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) tha: “Tre nga dhjetë nxënës janë nën nivelin minimal në matematikë.”
Nxënësit në Singapor, Japoni, Zvicër dhe Holandë janë shumë më të mirë në aritmetikë. Nxënësit nga Singapori dhe Japonia janë gjithashtu më të mirët në lexim dhe shkencë.
OECD-ja i sheh pasojat e mbylljes së shkollave gjatë pandemisë si një nga arsyet për këto rezultate. Në përgjithësi, rezultatet e testit të zhvilluar më 2022 në të tria fushat e shkathtësive janë në nivelin më të ulët që është matur ndonjëherë në PISA, sipas hulumtimit. Gjermania merr pjesë në këtë test që nga viti 2000.
Për shkak të pandemisë, mësimi në shkolla ishte anuluar dhe kishte mësim nga distanca. Në Gjermani, 71 për qind e nxënësve thanë se nuk kishin mësim në shkolla për më shumë se tre muaj për shkak të pandemisë. Si krahasim, nga 81 shtetet e testuara nga OECD-ja, vetëm 51 për qind kishin përjetuar mesatarisht mbyllje shkollash për kohë të ngjashme.
Gazeta gjermane raporton se përqindja e nxënësve me prejardhje imigrantësh, prindërit e të cilëve nuk janë lindur në Gjermani, është rritur. Kjo shifër u dyfishua, duke shkuar në 26 për qind nga viti 2012 në vitin 2022. “Nxënësit me prapavijë imigrantësh performojnë në masë të konsiderueshme më keq mesatarisht”- tha Avvisati.
Rreth dy të tretat e nxënësve imigrantë thanë se zakonisht flasin gjuhë tjetër në shtëpi në krahasim me gjuhën në të cilën i janë nënshtruar testit PISA.
