Akuzohej nga grupi i Navalnyt: Rusia e arreston zëvendësministrin e Mbrojtjes - NACIONALE

Akuzohej nga grupi i Navalnyt: Rusia e arreston zëvendësministrin e Mbrojtjes

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë, Timur Ivanov, është arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti, sipas organit më të lartë hetues në këtë shtet.

Komiteti Hetues tha të martën se Ivanovi është duke u mbajtur në ndalim dhe se një hetim është duke u zhvilluar, raporton televizioni BBC.

I emëruar në Ministrinë e Mbrojtjes më 2016, 47-vjeçari ishte përgjegjës për projektet infrastrukturore ushtarake të Rusisë.

Aktivistët për një kohë të gjatë e kanë kritikuar nivelin e lartë të pretenduar të korrupsionit në Federatën Ruse.

Më 2022, Fondacioni Kundër Korrupsionit, grup i themeluar nga udhëheqësi opozitar tashmë i ndjerë, Alexei Navalny, e kishte akuzuar Ivanovin për pjesëmarrje në “skema korrupsioni gjatë ndërtimit në territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia”.

Në veçanti, grupi opozitar thoshte se zëvendësministri kishte përfituar nga projektet e ndërtimit në qytetin bregdetar ukrainas, Mariupol, një pjesë e madhe e të cilit ishte shkatërruar nga bombardimet ruse pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës.

Në njoftimin e Komitetit Hetues për arrestimin e Ivanovit nuk tregohet se si u është kundërpërgjigjur zyrtari akuzave ndaj tij.

Seksioni i kodit penal rus sipas të cilit u arrestua Ivanovi – Pjesa 6 e Nenit 290 – zbatohet, kur ryshfeti i të dyshuarit e kalon shifrën prej një milion rublash (10.700 dollarë).

Këto shkelje ndëshkohen me gjoba të mëdha dhe me deri në 15 vite burgim.

Lajme të ngjashme