“Ai ka kryer shumë krime”: Trumpi kërcënon se do ta ndjekë penalisht Bidenin - NACIONALE

“Ai ka kryer shumë krime”: Trumpi kërcënon se do ta ndjekë penalisht Bidenin

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se pasardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, dhe familja e tij mund të ballafaqohen me disa ndjekje penale, porsa demokrati të largohet nga pushteti, nëse Gjykata Supreme nuk i jep Trumpit imunitet për betejat e tij ligjore me sistemin e drejtësisë penale.

Në një intervistë me revistën “Time”, miliarderi dha një pamje se si do të dukej mandati i tij i dytë në pushtet. Ai e lëshoi kërcënimin ndaj familjes Biden në një intervistë me gazetarin Eric Cortellessa të revistës “Time”, raporton gazeta “The Guardian”.

Trumpi bëri një lidhje të drejtpërdrejtë mes kërcënimit të tij për të emëruar një prokuror të posaçëm për ta hetuar familjen Biden, nëse republikani i fiton zgjedhjet e nëntorit, me rastin që tash për tash është duke u trajtuar nga Gjykata Supreme rreth imunitetit të tij presidencial.

Kur u pyet nëse ai synon që t’u “vihet pas” anëtarëve të familjes Biden, nëse e fiton mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi tha: “Varet se çfarë ndodh me Gjykatën Supreme.”

Nëse nëntë gjykatësit e këtij institucioni – tre prej të cilëve ishin emëruar nga Trumpi – dështojnë që t’i ofrojnë atij imunitet ndaj ndjekjes penale, Trumpi tha se “atëherë Bideni jam i sigurt se do të ndiqet penalisht për të gjitha krimet e tij, sepse ai ka kryer shumë krime”.

Trumpi dhe mbështetësit e tij republikanë për një kohë të gjatë janë munduar që ta lidhin Bidenin me shkelje kriminale që kanë të bëjnë me çështje biznesore të djalit të tij, Hunter Biden, pa paraqitur asnjë dëshmi thelbësore.

Në qershorin e kaluar, në disa komente që i kishte bërë në fushën e tij të golfit në Bedminster, Trumpi kishte kërcënuar se do të emëronte një prokuror të posaçëm, nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, “për t’iu vënë pas presidentit më të korruptuar në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe tërë familjes së krimit Biden”.

Trumpi tash për tash është duke u ballafaquar vetëm me katër raste aktive të ndjekjes penale, njëri prej të cilave është në proces të gjykimit në Nju-Jork. Ai akuzohet për ndërhyrje më 2016 në lidhje me pagesa për të mos folur për një aktore të filmave për të rritur.

Javën e kaluar, në Gjykatën Supreme u mbajt seancë dëgjimore, ku palët i paraqitën argumentet e tyre me gojë në rastin Trumpi kundër ShBA-së, në të cilin ish-presidenti kërkoi imunitet të gjerë ndaj ndjekjes penale për ish-presidentët, përfshirë atë. Dukej se gjykatësit nuk pritej që t’ia miratonin kërkesën plotësisht, edhe pse u dukën të gatshëm për të shqyrtuar një shkallë të caktuar të imunitetit për veprimet e kryera si pjesë e detyrave zyrtare presidenciale./Nacionale

Lajme të ngjashme