Afganistan: Një vit nga ardhja e talebanëve në pushtet, çfarë ka ndryshuar? - NACIONALE

Afganistan: Një vit nga ardhja e talebanëve në pushtet, çfarë ka ndryshuar?

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa forcat e huaja përfunduan me nxitim tërheqjen e tyre nga vendi, një vit më pare talebanët hynë në kryeqytetin afgan Kabul.

Atë kohë, duke folur në emër të talebanëve, Zabihullah Mujahid bëri një sërë premtimesh për qeverinë e re.

Pra, a i ka mbajtur regjimi premtimet e tij?

"Ne do t'i lejojmë gratë të punojnë dhe të studiojnë... gratë do të jenë shumë aktive, por brenda kornizës së Islamit."

Regjimi i mëparshëm i talebanëve, në vitet 1990, kufizoi rëndë lirinë e grave - dhe që nga marrja e pushtetit nga talebanët vitin e kaluar, ndaj grave në vend janë vendosur sërish një sërë kufizimesh.

Ka nisur zbatimi i rregulloreve për veshjen dhe ligjet që ndalojnë hyrjen në zonat publike të femrave pa kujdestar mashkull. E edhe pse në muajin mars, shkollat u hapën për një vit të ri akademik, talebanët anuluan premtimin e mëparshëm dhe aktualisht vajzat nuk lejohen të ndjekin shkollën e mesme.

Për këtë gjë, talebanët kanë fajësuar mungesën e mësueseve femra dhe kanë theksur nevojën për të rregulluar një ndarje të objekteve.

Sipas OKB-së, mos lejimi i femrave në shkollë ka prekur rreth 1.1 milion nxënës dhe ka provokuar kritika të gjera ndërkombëtare.

Edhe pse arsimi në shkollën fillore është lejuar për vajzat, dhe në muajin shkurt janë rihapur disa universitete publike për burra dhe gra, sipas Bankës Botërore, pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore që nga ardhja e talebanëve në pushtet ka rënë ndjeshëm.

Midis viteve 1998 dhe 2019, pjesëmarrja e femrave në fuqinë punëtore ishte rritur nga 15% në 22%. Megjithatë, me talebanët që vendosën më shumë kufizime në lëvizjet e grave jashtë shtëpisë që nga kthimi i tyre në pushtet, përqindja e femrave që punojnë në Afganistan në vitin 2012 është tkurrur në 15%.

Një raport i publikuar në muajin korrik nga Amnesty International, thoshte se talebanët kishin "shkatërruar të drejtat e grave dhe fëmijëve" në Afganistan. Raporti theksonte abuzimin dhe torturën e ushtruar ndaj disa grave që kishin marrë pjesë në protesta kundër kufizimeve të reja të vendosura ndaj tyre.

"Ne do të punojmë...për të rigjallëruar ekonominë tonë, për rindërtimin tonë, për prosperitetin tonë."

Ndërkohë, në muajin qershor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së raportoi se ekonomia afgane ishte tkurrur me rreth 30%-40% që nga marrja e pushtetit nga Talibanët në gusht të vitit të kaluar.

Një vlerësim nga organi zyrtar që mbikëqyr përpjekjet e rindërtimit të financuara nga ShBA në Afganistan arriti në përfundimin se megjithëse një pjesë e ndihmës ndërkombëtare vazhdon të rrjedhë në vend, kushtet ekonomike mbeten "të tmerrshme".

Pezullimi i shumicës së ndihmës ndërkombëtare dhe ngrirja e aksesit në rezervat valutore të Afganistanit ka pasur pasoja të rënda ekonomike për vendin.

E për të kompensuar këtë, talebanët kanë kërkuar të rrisin të ardhurat nga taksat, si dhe të rrisin eksportet e qymyrit për të përfituar nga çmimet më të larta globale.

Një buxhet tre mujor i shpallur në janar të këtij viti tregoi se talebanët kishin mbledhur afro 400 milionë dollarë të ardhura të brendshme midis shtatorit dhe dhjetorit 2021. Por ekspertët kanë ngritur shqetësime për mungesën e transparencës në mënyrën se si janë grumbulluar këto shifra.

Humbja e mbështetjes ndërkombëtare, sfidat e sigurisë, çështjet e lidhura me klimën dhe inflacioni global i ushqimit janë të gjitha duke kontribuar në një situatë ekonomike që përkeqësohet me shpejtësi.

"Nuk do të ketë prodhim droge në Afganistan... ne do ta sjellim përsëri prodhimin e opiumit në zero."

Premtimi i talebanëve për të trajtuar kultivimin e lulëkuqes së opiumit pasqyron një politikë që ata prezantuan me njëfarë suksesi kur ishin të fundit në pushtet më shumë se dy dekada më parë.

Opiumi përdoret për prodhimin e heroinës - dhe Afganistani ka qenë, deri tani, burimi më i madh i opiumit në botë për shumë vite.

Por, në prill të këtij viti, talebanët shpallën ndalimin e rritjes së lulëkuqeve. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta se si kanë përparuar masat shtrënguese, raportet nga disa zona ku rriten lulekuqe në provincën Helmand në jug sugjerojnë se talebanët kanë detyruar fermerët të shkatërrojnë fushat me lulekuqe.

Ndërsa, edhe një raport zyrtar i ShBA-së në korrik vuri në dukje se megjithëse talebanët rrezikonin të humbnin mbështetjen nga fermerët dhe të tjerët të përfshirë në tregtinë e drogës, ata "duken të përkushtuar ndaj ndalimit të tyre të narkotikëve".

Vlen gjithashtu të theksohet se edhe prodhimi i barnave të tjera, si meta kristal, ka ardhur duke u rritur, edhe pse talebanët kanë ndaluar një bimë të egër (efedra) që përdoret për ta bërë atë.

"Ne (talebanët) jemi të përkushtuar për të garantuar sigurinë."

Sipas të dhënave të OKB-së, edhe pse konflikti që solli talebanët në pushtet kryesisht ka përfunduar, që nga gushti i vitit të kaluar deri në mes të qershorit të këtij viti janë raportuar mbi 2,000 viktima civile (700 të vdekur dhe mbi 1,400 të plagosur)

Megjithatë, këto shifra janë shumë më të ulëta në krahasim me vitet e mëparshme kur konflikti ishte në kulmin e tij.

Rreth 50% e viktimave që nga gushti 2021 i atribuohen veprimeve të grupit Shteti Islamik-Khorasan (IS-K), një degë e grupit të Shtetit Islamik ende aktiv në Afganistan.

Edhe në muajt e fundit, disa sulme të IS-it kanë ndodhur duke synuar civilët, veçanërisht në zonat urbane me popullsi shiite myslimane ose pakicë të tjera.

Gjithashtu në vend është rritur prania e forcave të tjera anti-talebane, si Fronti i Rezistencës Kombëtare (NRF) dhe Fronti i Lirisë së Afganistanit (FSHF).

"Mjedisi i përgjithshëm i sigurisë po bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm," tha OKB-ja në qershor, duke përmendur praninë e shumë grupeve të veçanta kundër talebanëve që janë të pranishëm në vend.

Sipas OKB-së, ka pasur gjithashtu një rritje të konsiderueshme të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga talebanët, duke përfshirë vrasjet jashtëgjyqësore, arrestimet dhe torturat.

BBC shkruan se, midis gushtit 2021 dhe qershorit 2022, janë regjistruar të paktën 160 vrasje pa gjyq të ish-zyrtarëve të qeverisë dhe forcave të sigurisë.

Lajme të ngjashme