Administrata e SHBA-së sanksionon politikanë të lartë serbë dhe kroatë të Bosnjës
Zyra e SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka vendosur dy politikanë të rangut të lartë nga Bosnje-Hercegovina në listën e sanksioneve për minimin e marrëveshjes së paqes të vitit 1995 dhe përparimit demokratik të vendit.
Lista e sanksioneve tani përfshin Marinko Çavara, presidentin e Federatës së Boshnjakëve dhe Kroatëve, dhe Alen Sheraniq, ministrin e shëndetësisë dhe mirëqenies së Republikës Serbe (RS). Federata dhe RS janë dy njësi shumë autonome që përbëjnë BeH-në e pasluftës, raporton N1.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, shkroi në Twitter se “e ardhmja e Bosnjë dhe Hercegovinës nuk mund të rrezikohet nga partitë etno-nacionaliste në kurriz të qytetarëve të saj”.
“Sot, Thesari i SHBA-së ka sanskionuar dy zyrtarë që kanë minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe proceset demokratike të Bosnjë-Hercegovinës”.
Presidenti secesionist serb i Bosnjës Milorad Dodik të cilin administrata e SHBA e ka sanksionuar në mënyrë të përsëritur për minimin e përpjekjeve për paqe dhe sundimin e ligjit, është mbështetës i vendosur i Moskës dhe ka refuzuar që BeH të vendos sanksione ndaj Rusisë, për të cilat Perëndimi ka bërë thirrje.
Ai ka bërë vazhdimisht kërcënime secesioniste gjatë dekadës së fundit për të nxjerrë Republikën Serbe të Bosnjës nga Bosnje-Hercegovina dhe së fundmi ka bërë thirrje për një shpërbërje paqësore të BiH.