A po kryhet lufta: Qeveria e Izraelit mblidhet sonte për ta miratuar paktin për pengjet me Hamasin
Kabineti izraelit pritet të takohet të martën “pas zhvillimeve në lidhje me lirimin e pengjeve tona”, tha Zyra e Kryeministrit.
Shumë media po raportojnë se zyrtarët qeveritarë do të takohen për t’ia dhënë miratimin përfundimtar marrëveshjes me Hamasin për lirimin e pengjeve nga ky grup, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Para takimit të orës 20, kabineti i luftës dhe kabineti i sigurisë do të takohen për t’ia dhënë dritën e gjelbër marrëveshjes.
Duke u takuar me trupat rezervë në jug të Izraelit më herët, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se “jemi duke avancuar drejt një marrëveshjeje”. “Nuk mendoj se duhet të them shumë, as tani, por shpresoj se do të kemi lajme të mira së shpejti”- shtoi ai.
Më herët, televizioni “Channel 12” citoi një zyrtar të lartë izraelit të ketë thënë: “Jemi shumë afër një marrëveshjeje.”
Duke theksuar se ende kishte çështje teknike për t’u zgjidhur, zyrtari tha se ekziston një marrëveshje për lirimin e të paktën 50 personave, ndërsa dhjetëra të tjerë mund të lirohen në këmbim të zgjatjes së një armëpushimi të planifikuar përtej ditëve fillestare.
Në raportim thuhet se në mesin e atyre që do të lirohen në disa faza brenda disa ditëve pritet të ketë fëmijë, nënat e tyre dhe gra të tjera.