A mund ta lehtësojë krizën globale të ushqimit marrëveshja për drithërat? - NACIONALE

A mund ta lehtësojë krizën globale të ushqimit marrëveshja për drithërat?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marrëveshja për eksportimin e drithërave nga portet e Ukrainës në Detin e Zi, afati i së cilës do të skadonte më 19 nëntor, të enjten u zgjat edhe për 120 ditë.

Kjo marrëveshje, e arritur fillimisht në korrik, krijoi një korridor të mbrojtur detar për ta lehtësuar mungesën globale të ushqimit, duke e lejuar rinisjen e eksporteve nga tri porte të Ukrainës, shtet që eksportonte një pjesë të madhe të drithërave në botë para fillimit të luftës.

Çka është eksportuar?

Deri më tani, mbi 11 milionë tonë prodhime bujqësore janë transportuar, përfshirë 4.5 milionë tonë misër, raporton agjencia "Reuters".

Eksportimi i grurit ka arritur në 3.2 milionë tonë ose 29 për qind e eksporteve të përgjithshme. Në mesin e eksporteve të tjera janë edhe elbi dhe vaji i lulediellit.

Si mund të ndryshojë marrëveshja?

Ukraina ka synuar që ta zgjerojë marrëveshjen për të përfshirë më shumë porte detare. Nuk është menjëherë e qartë nëse zgjatja e afatit, e njoftuar nga Kombet e Bashkuara dhe Ukraina, e përfshin edhe këtë kërkesë.

Tri portet e përfshira në marrëveshje – Odesa, Chornomorsk-u dhe Pivdennyi – kanë kapacitet të përbashkët për të eksportuar rreth tre milionë tonë ushqim në muaj.

Ukraina ka dashur që në marrëveshje t’i përfshijë edhe portet e rajonit jugor, Mykolaiv, nga të cilat eksportoheshin 35 për qind e eksporteve ushqimore para fillimit të luftës.

Mykolaiv-i ishte terminali i dytë më i madh i Ukrainës për drithëra, sipas të dhënave të dërgesave më 2021, prandaj futja e tij në marrëveshje do të lejonte eksportim shumë më të madh të drithërave.

Ukraina gjithashtu ka kërkuar zgjatje të afatit të marrëveshjes për një vit dhe regjim të thjeshtëzuar të inspektimit.

Rusia ka thënë më parë se pëlqimi i saj për zgjatjen e afatit të marrëveshjes varet nga përkrahja për eksportet e drithërave dhe plehrave të saj. Rusia është prodhuese e madhe bujqësore dhe eksportuesja më e madhe e grurit në botë.

Besohet se në mesin e kërkesave të Rusisë është lehtësimi i kufizimeve nga Perëndimi ndaj bankës bujqësore ruse, “Rosselkhozbank”. Një masë e tillë do të mund të ndikonte në shtimin e eksporteve të Rusisë.

A e ka lehtësuar marrëveshja krizën?

Rënia e dërgesave nga Ukraina ka luajtur rol në krizën globale të ushqimit këtë vit, por në të ka pasur edhe faktorë të tjerë.

Këtu përfshihen pandemia e koronavirusit dhe fatkeqësitë klimatike, të cilat vazhdojnë që ta sfidojnë prodhimin bujqësor. Më së voni, Shtetet e Bashkuara dhe Argjentina u ballafaquan me thatësi.

Korridori detar ka sjellë rimëkëmbje të pjesshme të dërgesave nga Ukraina, por ato mbeten dukshëm nën nivelin e paraluftës dhe nuk do të rimëkëmben në të ardhmen e parashikueshme.

Transportimi i drithërave deri në porte mbetet i shtrenjtë dhe sfidues, ndërsa bujqit e kanë pakësuar mbjelljen, sepse në shumë raste e kanë shitur drithin me humbje, kur çmimet e shitjes në vend mbeten shumë të ulëta.

A i ka ulur marrëveshja çmimet e grurit?

Çmimet e grurit në Bordin e Chicago-s për Tregti ishin rritur në masë të konsiderueshme pas fillimit të luftës, por tash janë afër nivelit të paraluftës.

Aftësia e Ukrainës për të eksportuar miliona tonë grurë përmes korridorit detar ka qenë një element që e ka nxitur uljen e çmimeve.

Në mesin e faktorëve të tjerë për uljen e çmimeve janë të korrat rekorde këtë vit në Rusi, perspektiva e zymtë ekonomike globale dhe vlera e fuqishme e dollarit.

Sidoqoftë, çmimet e prodhimeve nga gruri mbeten dukshëm mbi nivelin e paraluftës në shumë vende në zhvillim pavarësisht nga rënia e çmimeve në bursën e Chicago-s, për shkak të vlerës së dobët të valutave vendëse dhe çmimeve më të larta të energjisë, që e kanë rritur koston e transportit dhe paketimit.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme