Putini: Bota po përballet me krizë ushqimore për shkak të sanksioneve të Perëndimit - NACIONALE

Putini: Bota po përballet me krizë ushqimore për shkak të sanksioneve të Perëndimit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti Vladimir Putin tha të martën se Rusia duhet të vëzhgojë me vëmendje eksportet e saj të ushqimit në vendet armiqësore, sepse sanksionet e Perëndimit kanë nxitur një krizë globale ushqimore dhe ngritje të çmimeve të energjisë.

Sanksionet e Perëndimit, lidhur me pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt e kanë çuar Rusinë drejt krizës më të keqe ekonomike që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Shefi i Kremlinit paralajmëroi se çmimet më të larta të energjisë të kombinuara me mungesën e plehrave fertilizuese të tokës, do ta shtyjnë Perëndimin që të shtypë para për të blerë furnizime, duke çuar kështu në mungesa ushqimore në vendet më të varfra.

“Ata në mënyrë të pashmangshme do të përkeqësojnë mungesën e ushqimit në rajonet më të varfra të botës, do të nxisin valë të reja migrimi dhe në përgjithësi do të rrisin çmimet e ushqimeve”, tha Putin në një takim mbi zhvillimin e prodhimit të ushqimit, raporton Reuters.

“Në këto kushte aktuale, mungesa e plehrave në tregun global është e pashmangshme. Ne do të duhet të jemi më të kujdesshëm në lidhje me furnizimet me ushqime jashtë vendit, veçanërisht të monitorojmë me kujdes eksportet në vendet që janë armiqësore ndaj nesh."

Një nga aleatët e Putinit paralajmëroi javën e kaluar se mes sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Moskës, Rusia mund të lejojë furnizimet me produkte bujqësore vetëm për vendet "miqësore".

Rusia është eksportuesi më i madh në botë i grurit, duke e furnizuar kryesisht Afrikën dhe Lindjen e Mesme, po ashtu është prodhuesi i madh i plehrave që përmbajnë potas, fosfat dhe azot - lëndët ushqyese kryesore të bimëve dhe tokës, duke prodhuar më shumë se 50 milionë tonë plehra të tokës në vit -13% e totalit global.

Putini tha se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, kanë ndërprerë logjistikën për furnizimet me plehra nga Rusia dhe Bjellorusia, ndërsa çmimet më të larta për gazin natyror po e bëjnë prodhimin e plehrave në Perëndim më të shtrenjtë.

Në një paralajmërim për shtetet evropiane, Putini paralajmëroi se Moska do t'i përgjigjet çdo përpjekjeje për të shtetëzuar asetet ruse, duke u tallur se një veprim i tillë ishte një "armë me dy tehe".

Lajme të ngjashme