68 të vrarë nga një sulm ajror amerikan në një burg me emigrantë afrikanë në Jemen, thonë rebelët
Rebelët Houthi të Jemenit pretenduan të hënën se një sulm ajror i forcave amerikane goditi një burg ku po mbaheshin emigrantë afrikanë, duke lënë të vrarë të paktën 68 njerëz e duke plagosur 47 të tjerë. Ushtria amerikane nuk pati koment të menjëhershëm.
Sulmi në distriktin Saada të Jemenit, bastion i rebelëve Houthi, është incidenti më i ri në luftën e gjatë të këtij shteti e në të cilin mbetën të vrarë emigrantë afrikanë nga Etiopia e shtete të tjera, të cilët rrezikojnë duke hyrë në Jemen si vend transit me qëllim që të gjejnë punë në Arabinë Saudite, raporton televizioni CNN.
Rasti gjithashtu ka gjasa që t’i përtërijë pyetjet e aktivistëve rreth fushatës së sulmeve amerikane, e njohur si “Operacioni Kalorësi i Ashpër”, në shënjestër të të cilit kanë qenë rebelët, përderisa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po negocion me mbështetësin kryesor të rebelëve, Iranin, rreth programit bërthamor të Teheranit që po avancon shpejt.
Komanda Qendrore e ShBA-së, në një deklaratë të lëshuar të hënën herët, para lajmit për sulmin e pretenduar, u mundua që ta mbronte politikën e saj për mosofrim të hollësive specifike rreth fushatës së gjerë të sulmeve ajrore.
“Për ta ruajtur sigurinë operacionale, ne e kemi kufizuar qëllimisht zbulimin e hollësive të operacioneve tona të vazhdueshme ose të ardhshme” – tha Komanda Qendrore. “Ne jemi shumë të matur në qasjen tonë operacionale, por nuk do të zbulojmë hollësi rreth asaj që kemi bërë ose që do të bëjmë” – thuhet më tej.
Komanda Qendrore nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të agjencisë së lajmeve “Associated Press” për sulmin e pretenduar në Saada.