17 të vrarë nga zjarri izraelit afër një pike të ndihmave në Gaza, thonë zyrtarët shëndetësorë - NACIONALE

17 të vrarë nga zjarri izraelit afër një pike të ndihmave në Gaza, thonë zyrtarët shëndetësorë

5 ditë më parë

nga NACIONALE

Zjarri izraelit la të vrarë të paktën 17 palestinezë dhe la të plagosur dhjetëra të tjerë, përderisa mijëra njerëz të zhvendosur iu afruan një pike të shpërndarjes së ndihmave të menaxhuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i përkrahur nga ShBA-ja, të martën në pjesën qendrore të Gazës, thanë autoritetet shëndetësore lokale.

Mjekët thanë se viktimat u dërguan me urgjencë në dy spitale, “Al-Awda” në kampin “Nuseirat”, në pjesën qendrore të Gazës, dhe në “Al-Quds” në Qytetin Gaza, në pjesën veriore të enklavës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ushtria izraelite tha se ishte duke e analizuar incidentin. Javën e kaluar, ajo i paralajmëroi palestinezët që të mos i shfrytëzonin rrugët që çojnë te pikat e shpërndarjes së ndihmave mes orës 18:00 deri në orën 6 të mëngjesit, duke i përshkruar ato rrugë si zona të mbyllura ushtarake.

Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) nuk pati koment të menjëhershëm për incidentin e së martës.

GHF-ja filloi që të shpërndante pako ushqimore në Gaza në fund të majit, duke zbatuar një model të ri të shpërndarjes së ndihmave. Kombet e Bashkuara kanë thënë se ky model nuk është as i paanshëm, as neutral.

Megjithatë, shumë banorë të Gazës thonë se janë të detyruar që të ecin me orë për të arritur te pikat e shpërndarjes së ndihmave, që do të thotë se u duhet të nisen para agimit, nëse duan që të kenë ndonjë mundësi për të marrë ushqim.

Edhe pse GHF-ja ka thënë se nuk ka pasur incidente në pikat e saj të ndihmave, palestinezët kanë thënë se ka pasur tollovi dhe rrugët për te këto qendra janë përfshirë nga kaosi e dhuna vdekjeprurëse.

“Shkova atje në orën 2 të mëngjesit me shpresë se do të merrja ca ushqim, pashë njerëz duke u kthyer duarthatë. Thanë se pakot me ndihma u harxhuan brenda pesë minutave. Kjo është e çmendur dhe nuk është e mjaftueshme” – tha 40-vjeçari Mohammad Abu Amr, baba i dy fëmijëve./Nacionale

Lajme të ngjashme