“ZPS-ja s`ka treguar asnjë provë”, avokati i Thaçit e mbyll fjalën: Z. gjykatës, shpalleni pafajësinë për të gjitha akuzat
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, e ka përmbyllur fjalën e tij përfundimtare në Dhomat e Specializuar në Hagë.
Në adresimin e tij në seancën e sotme, ku pritet të flasin edhe ish-krerët e UÇK-së, ai ka thënë se ZPS-ja deri me tani nuk ka ofruar asnjë shpjegim racional apo logjik që tregon se klienti i tij është fajtor.
“Jemi në një rreth vicioz, nuk kemi asnjë provë. Asnjëherë nuk kemi thënë së ZPS-ja duhet të vërtetojë kontributin e konsiderueshëm për akuzat që gjenden në aktakuzë. Por standardi që kanë Dhomat e Specializuara, që pasqyrojnë standardet e tribunalit, është që duhet të ketë një kontribut të konsiderueshëm për krimet në aktakuzë. ZPS-ja për këtë nuk iu ka treguar asnjë provë. Në përfundim, të ndërtuar z. gjykatës, ju lutem, shpalleni pafajësinë për të gjitha akuzat”, ka thënë ai.
Në fjalën e tij, ai vazhdimisht ka kritikuar ZPS-në se nuk ka mundur t`i mbështes argumentet e veta.
“ZPS-ja nuk ka prova për të mbështetur argumentin e vet. Thelbi i dokumenteve është kaq i dobët, saqë po t’iu referohem këtyre dokumenteve, ZPS-ja do ta bëjë edhe më të dobët argumentin e vet. Në rastin më të mirë, argumentet e ZPS-së janë një harrnim dokumentesh që ua ka lënë juve që t’i mblidhni me njëra-tjetrën, dhe kjo nuk përmbush barrën e Prokurorisë”, është shprehur Mishetiq.
Ai është ndalur sërish të të pretendimet e prokurorëve se dëshmitarët ndërkombëtarë nuk ishin të informuar për komunikatat e UÇK-së.
Ai përmendi dëshminë e ish-gjeneralit suprem të NATO-s, Wesley Clark, i cili pati deklaruar se ai vetë kishte informuar Sllobodan Millosheviqin për bombardimet në Serbi.
“ZPS-ja vazhdon të pretendojë që ndërkombëtarët nuk ishin të informuar me dokumentet dhe komunikatat e UÇK-së, duke cituar ndër të tjera edhe dëshminë e dëshmitarit Clark. Por, në qoftë se ju kujtohet dëshmia e dëshmitarit Clark lidhur me tri takimet e tetorit me Millosheviqin, ai na tha se në këto takime i ishte thënë Millosheviqit se NATO-ja do ta bombardonte vendin nëse Millosheviqi nuk do të ndërpriste luftimet ndaj Kosovës. Sigurisht që Millosheviqi ka qenë i informuar për komunikatat, se në fund të ditës Kosova ishte thjesht një provincë e Jugosllavisë”, është shprehur Mishetiq.
Sipas tij, në procesin që ka zgjatur disa vite ZPS-ja nuk ka ofruar asnjë provë që tregon fajësinë e klientit të tij.
“Nuk ka asnjë raport për Thaçin. Ju thamë që s’ka prova që Thaçi kishte një rol në përgatitjen apo shpërndarjen e komunikatave. ZPS nuk ka ofruar asnjë shpjegim racional apo logjik për mënyrën se si anëtarët e NPK-së pretendojnë se është transmetuar qëllimi i përbashkët kriminal përmes komunikatave, nëse UÇK ka pasur një zinxhir komandues funksional. Ju thamë gjithashtu se konsensusi i provave të dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së është që Hashim Thaçi nuk dyshohet të ketë qenë i përfshirë në krime lufte apo politikë që shënjestronte të ashtuquajtur kundërshtarë. ZPZ nuk kishte argumente për të hedhur poshtë këto pika themelore, pra ato nuk kishin përgjigje”, ka thënë Misheqit.