Sundimi i Ligjit: Kosova nuk ndryshon në vlerësim, bie për një pozitë në renditjen e “World Justice Project”
“World Justice Project” ka publikuar indeksin për sundimin e ligjit në nivel global në shtete të ndryshme. Kosova këtë vit ka rënë për një pozitë në renditje, megjithatë vlerësimi me 0.56 është i njëjtë sikur vitin e kaluar. Nacionale sjell detaje.
Vitin e kaluar Kosova ishte në pozitën e 57-të në Indeksin e Sundimit të Ligjit të hartuar nga “World Justice Project”. E këtë vit, Kosova ka rënë për një pozitë, megjithatë vlerësimi me pikë mbetet i njëjti.
Edhe vitin e kaluar edhe këtë vit Kosova është vlerësuar me 0.56 nga kjo organizatë që harton indeksin për sundimin e ligjit në nivel global, raporton Nacionale.
Kosova vitin e kaluar ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit, kurse këtë vit Kosova ndan vlerësim të barabartë me Malin e Zi.
0.56 Kosova e ka vlerësimin edhe në renditjen për rezultatet e shteteve në bazë të kufizimeve të pushteteve ndaj Qeverisë. Megjithatë, në këtë renditje Kosova është e 61-ta në renditjen golabale.
Kurse, lidhur me mungesën e korrupsionit Kosova është e renditur në pozitën e 64-të në nivel global, me vlerësim prej 0.47.
Për transparencën e qeverisë Kosova ka humbur 0.1 pikë në vlerësimin e indeksit, nga 0.58 në 0.57. Sivjet renditet në pozitën e 47-të në nivel global, kurse vitin e kaluar ka qenë një pozitë më lartë, raporton Nacionale.
Për respektimin e të drejtave fundamentale të njeriut, Kosova është e renditur në pozitën e 55-të me vlerësim prej 0.61. Kurse, në vitin 2022 Kosova renditej në pozitën e 56-të me 0.60 vlerësim.
Vlerësimin më të lartë Kosova e ka për rend dhe siguri, duke u renditur në pozitën e 32-të me 0.83 vlerësim. Vitin e kaluar Kosova ishte në pozitën e 33-të, me po të njëjtin vlerësim në pikë.
Për zbatimin e rregulloreve Kosova është ngritur për një pozitë, nga e 81 sa ishte vitin e kaluar, në 80 aktualisht me vlerësim prej 0.48.
Për drejtësinë civile, Kosova është e renditur gjithashtu më poshtë në tabelë. Renditet e 80-ta me 0.50 vlerësim. Kurse, në drejtësinë penale Kosova renditet e 65 me 0.46 vlerësim.
Në vlerësimin më të përgjithshëm për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore ku bënë pjesë edhe Kosova, vendi ynë është renditur në pozitën e tretë. Para Kosovës është Gjerogjia me vlerësim të përgjithshëm 0.60, kurse Mali i Zi për herën e parë e ka kaluar Kosovën në vlerësimin e Ballkanit, duke u renditur e dyta. Kjo pavarësisht se Kosova e Mali i Zi vlerësohen saktësisht njëjtë me pikë nga “World Justice Project”.
Ky është edhe viti i parë që Mali i Zi është pjesë e këtij vlerësimi. Pra, indeksit i janë shtuar dy shtete krahasuar me vitin e kaluar.
Rezultatet e vitit të kaluar
Kosova sipas renditjes së publikuar nga WJP vitin 2022 kishte zënë vendin e 57-ë në botë, duke u renditur kështu për tri pozita më lartë në raport me vitin 2021, kur zuri vendin e 60.
Sipas raportit, Kosova ishte e dyta në botë për përmirësimin e sundimit të ligjit.
Kryeministri aso kohe u lavdërua me këtë vlerësim.
“Këtë vit, WJP e ka e ka renditur sërish Republikën e Kosovës të parën në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit. Kosova gjithashtu është rënditur e dyta në mbarë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar. Konfirmim i pavarur se reformat tona po funksionojnë dhe po funksionojnë me shpejtësi”, kishte thënë ai.
Renditjen më të mirë për këto tri vite, Kosova e pati shënuar në vitin 2020, kur kishte dalë e 54-a në botë.
Gjatë vitit 2020, kur statistikat publikoheshin për vitin e lënë pas, Kadri Veseli, atë kohë deputet, lavdërohej me një renditje të tillë.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, deklaronte se Kosova po bën arritje të mëdha, derisa kishte pasur një mesazh edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilën thoshte se po mohojnë çdo arritje e progres të vendit.
“Pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme të rindërtimit prej shkatërrimeve të luftës, shtet-ndërtimit dhe pengesave në arenën ndërkombëtare, Kosova ka mundur të arrij shumë në shumë pak kohë për sa i përket sundimit të ligjit. Ky indikator vlen veçanërisht si demantim ndaj atyre zërave nihilist në Kosovë, që mohojnë çdo arritje e progres që ka bërë vendin ynë, e nuk humbasin rast për ta njollosur e dëmtuar pa të drejtë reputacionin e shtetit tonë. Nuk ka dyshim që Kosova ka ende rrugë të gjatë për të bërë në sundimin e ligjit, mund të eci përpara edhe më shumë në luftën kundër korrupsionit, megjithatë është e ulët që të mohoen sukseset e deritanishme që me aq sakrificë i kemi mundësuar”, kishte deklaruar Veseli.

