Skandali i rezervave shtetërore: Ridvan Muharremi po intervistohet nga Prokuroria Speciale - NACIONALE

Skandali i rezervave shtetërore: Ridvan Muharremi po intervistohet nga Prokuroria Speciale

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Ridvan Muharremi i njohur si ‘Ridi’ po intervistohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Rasti ndërlidhet me rezervën shtetërore për të cilën kishte raportuar Nacionale.

Muharremi do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit. Lajmin e ka konfirmuar për Nacionalen, avokati i Ridit, Mahmut Halimi.

“Po, për rastin e rezervës. Në cilësinë e të dyshuarit është, tash te këqyrim çka po thotë Prokurori”, tha Halimi.

Muharremi njihet si pronar i restorantit "Bukë e Zemër", dhe gjithashtu i afërt me kryeministrin Kurti. Madje, lokalin e Ridit, Kurti e kishte vizituar edhe me emisarin Miroslav Lajçak.

Nacionale kishte raportuar për një sasi të madhe të grurit, vajit e sheqerit, që ishte paguar për rezervë shtetërore, por mall i cili nuk kishte ardhur asnjëherë.

Pavarësisht se rezerva kishte qenë temë e klasifikuar si sekret, me të ishte marrë edhe pronari i Bukë e Zemër, Ridvan Muharremi.

Për këtë temë, muaj më parë ishte intervistuar edhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.

“Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, pas përfundimit të deklaratës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kishte thënë se nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, por për legjislacionin në fuqi për rezervat shtetërore.

“Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet që kanë nevojë t’i marrin”, u shpreh ajo.

Pas raportimit të Nacionales, ishin arrestuar tre të dyshuar: Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

Më pas, ata ishin liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Apelit.

Nacionale ka raportuar se hetuesit të cilët e kanë hetuar aferën e rezervave, janë drejt largimit nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, muaj më parë, ministrja Rozeta Hajdari, kishte tentuar të inicojë hetim ndaj hetuesve që e zbardhën këtë aferë, me arsyetimin se nuk kanë pasur certifikatë të sigurisë. I njëjti tentim, ishte rrëzuar nga Prokuroria Speciale.

Avokati i Ridvan Muharremit, e kishte akuzuar direkt ministren Rozeta Hajdari, duke thënë se ajo e kishte angazhuar klientin e tij në rastin e rezervave.

“E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E ka njohur si persona afarist, që ka traditë të gjatë, ka rreth të gjerë të miqve të vetë. Janë mysafir të cilët shkojnë në Restaurantin e tij. Ka një restaurant modest ku shërbehen ushqime tradicionale. Sjellje e shkëlqyer, pritje, nuk ka shkuar vetëm Kurti e ministrat. Por plot ambasadorë”, deklaroi avokati Halimi.

Në konferencë për media, ministrja e Industrisë, Ndërmmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ishte pyetur për afaristin Ridvan Muharremi, i cili është pronari i restorantit “Bukë e Zemër” dhe i njëjti është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Hajdari ka deklaruar se Muharremi nuk është në ndonjë kontraktim të kontratave për rezerva shtetërore.

Ajo tutje ka thënë se vetë i ka nënshkruar kontratat për rezerva shtetërore që janë sekret.

“Unë s’kam asnjë informacion që personi në fjalë është në ndonjë kontraktim të kontratave për rezerva shtetërore. Unë vetë si ministre i kam nënshkruar kontratat për rezervat shtetërore që janë si sekret. Përndryshe ministria ka nënshkruar shumë operator, por jo vetëm një.” - ka thënë Hajdari.

Lajme të ngjashme