Shkarkimi nga pozita e dekanit – anëtari i Këshillit Prokurorial Agron Beka e humb betejën e parë me gjykatën - NACIONALE

Shkarkimi nga pozita e dekanit – anëtari i Këshillit Prokurorial Agron Beka e humb betejën e parë me gjykatën

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, e ka humbur betejën e parë me Gjykatën lidhur me shkarkimin e tij nga pozita e dekanit. Beka ishte shkarkuar nga pozita e dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Mitrovicës pasi ishte vlerësuar se nuk ka kryer detyrat si duhet. Beka i pakënaqur me këtë vendim është ankuar në Gjykatën e Mitrovicës.

Megjithatë, betejën e parë me drejtësinë atje e ka humbur. Kjo pasi Gjykata e ka rrëzuar kërkesën e Agron Bekës që të vendoset masë e përkohshme dhe të mos caktohet asnjë dekan tjetër në Juridik deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale, Gjykata e Mitrovicës ka refuzuar në tërësi propozimin e Agron Bekës për caktimin e masës së sigurisë. Gazeta Nacionale ka raportuar disa herë lidhur me dyshimet se Beka kishte përfituar jashtligjshëm disa qindra euro. Për këtë, kishte pasur edhe kallëzim penal.

Beka është edhe anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike.

“Pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve dhe provave të prezantuara në këtë procedurë nga ana e propozuesit të masës, Gjykata vlerëson se propozimi për masë të sigurimit duhet të refuzohet për faktin se propozuesi i sigurimit ka dështuar ta bëjë të besueshëm propozimin për sigurimin e kërkesë padisë, dhe ka dështuar ta bëjë të besueshëm faktin se ekziston rreziku që pa caktimin e masës së këtillë-pala kundërshtare do të mund ta pamundësojë apo vështirësojë dukshëm realizimin e kërkesës së propozuesit të sigurimit, siç parashihet me dispozita e neni 297 paragrafi 1, pika (a) dhe (b) të LPK-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Mitrovicës.

Beka në ankesën e tij kishte pretenduar se dëmi ndaj tij është edhe profesional, material e njerëzor. Megjithatë, këto arsyetime nuk i ka marrë parasysh Gjykata Themelore e Mitrovicës.

“Gjykata erdhi në këtë përfundim, pasi që në rastin konkret propozuesi i masës ka një pretendim ndaj të paditurit-kundërshtares së masës për shkak të kontestit nga marrëdhënia e punës, çështja e së cilës do të zgjidhet në mënyrë meritore sipas padisë. Ndërkaq, sa i përket faktit së një vendim i tille është i kundërligjshëm dhe pasojat janë shumë të mëdha lidhur me personalitetin tim njerëzor, profesional dhe akademik, si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe si profesor i rregullt tek e paditura, dhe se dëmi material është 300 euro në muaj më pak, në raport me pozitën që kam pasur si dekan i Fakultetit Juridik tek e paditura, lidhur më këtë, e sidomos situatës të cilën Universiteti "Isa Boletini" është, e kjo duke iu referuar si provave te lendes, në veçanti deklarimeve të palëve ndërgjyqëse, se tani ky Universitet është në procedurën e akreditimit, tutje, duke mos dashur ta paragjykojë zgjidhjen përfundimtare të çështjes, gjykata vlerëson se mos caktimi i masës së sigurisë siç ka propozuar pala, nuk vështirëson as financiarisht dhe as materialisht kompensimin e të ardhurave të propozuesit”, thuhet më tutje në vendimin e siguruar nga gazeta Nacionale.

Nacionale javën e kaluar ka raportuar se Policia i kishte ngritur kallëzim penal Agron Bekës. Kjo pasi dyshohej se ka përfituar mjete financiare pa i mbajtur ligjëratat fare. Megjithatë, brenda një kohe të shkurtër, Prokuroria e Ferizajt që ishte duke e trajtuar këtë lëndë, i ka mbyllur hetimet.

Pse u shkarkua Agron Beka?

Agron Beka, anëtar i Këshillit Prokurorial, ishte shkarkuar nga pozita e Dekanit të Fakultetit Juridik në Mitrovicë në shtatorin e vitit të kaluar.

Arsye për këtë ishin bërë dyshimet e Senatit se Beka nuk kishte arritur t’i kryente me sukses detyrat e tij.

Ndaj Agron Bekës ishte ngritur kallëzim penal në gusht të vitit 2022. Kallëzimi ishte ngritur nga dy ish-prodekanë të fakultetit Juridik në Mitrovicë. Beka dyshohej se kishte përfituar jashtëligjshëm 700 euro, nga ligjëratat që nuk i kishte mbajtur.

Madje, përveç tij në këtë kallëzim penal ishte i përfshirë edhe Salem Lepaja. Në opinion Lepaja njihet si profesori i kryeministrit Albin Kurti, i cili në disa intervista të ndryshme, kishte pasur fjalë të mëdha për Kurtin sa ishte student.

Beka në kallëzimin penal e vitit të kaluar dyshohej për konflikt të interesit e keqpërdorim të detyrës zyrtare. “Këto vepra penale i ka konsumuar në atë mënyrë që ka dorëzuar listat e mbarvajtjes së ligjëratës gjatë tërë semestrit dimëror 2021/2022, pa asnjë studentë duke e fshehur. faktin që studentët kanë përzgjedhur lëndën tjetër zgjedhore. Po ashtu, ka ushtruar (ende vazhdon) funksione menaxheriale të cilat e vëjnë në pozitë të konfliktit të interesit dhe këto pozita janë: pozita e Dekanit të Fakultetit Juridik dhe atë të anëtarit të Këshillit Prokurorial”, thuhet në kallëzimin penal që e kishte siguruar Nacionale.

E Salem Lepaja dyshohej për mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Drejtues të Universitetit. “I dyshuari tjetër Salem Lepaja, ka mashtruar dhe kepërdor detyrën zyrtare duke shfrytëzuar pozitën e kryesuesit të Këshillit Drejtues, UIBM, ashtu që me qëllim të mbroj nga ligji Agron Bekën, nuk i ka vendosur në rend të ditës këto kërkesa për zbatimin e ligjshmërisë: kërkesën e prorektores Ajtene Avdullahi lidhur me çështjen e trajtimit të listave të zbrazta; Ankesën e Parlamentit studentor ndaj Dekanit Agron Beka si dhe kërkesën për zbatimin e ligjshmërisë të parashtruar nga Xhemajl Veliqi”, thuhej në këtë kallëzim penal.

Madje, në atë kallëzim penal, Beka dyshohej se kundërligjshëm e ka propozuar veten për anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Megjithatë, nuk dihet nëse këto elemente i përmban edhe kallëzimi penal që ia ka ngritur Policia e Kosovës.

Lajme të ngjashme