Ekskluzive: Policia ngre kallëzim penal ndaj Agron Bekës, anëtar i Këshillit Prokurorial - NACIONALE

Ekskluzive: Policia ngre kallëzim penal ndaj Agron Bekës, anëtar i Këshillit Prokurorial

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, mund të përballet me drejtësinë. Megjithatë, kësaj radhe jo si bartës i institucionit. Ndaj Bekës, Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal. Krejt kjo lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa Beka ishte dekan e profesor i juridikut në Universitetin e Mitrovicës. Për këtë, Nacionale kishte raportuar javë më parë.

Në një dokument ekskluziv që e ka parë gazeta Nacionale, vërtetohet se kallëzimi penal i ngritur nga Policia e Kosovës ndaj Agron Bekës, është duke u trajtuar në Prokurorinë e Ferizajt.

“Kallëzimi penal kundrejt të dyshuarit Agron Beka të paraqitur nga Policia e Kosovës në PSRK ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, thuhet në këtë dokument që e ka parë ekskluzivisht gazeta Nacionale.

Pavarësisht pritjes për dy ditë, Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk ka kthyer asnjë përgjigje për gazetën Nacionale, lidhur me detajet e këtij kallëzimi penal. Siç kanë thënë, “prokurori që po merret me këtë rast, është në pushim mjekësor”.

Agron Beka, anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte profesor dhe dekan në Universitetin e Mitrovicës.

Beka dyshohet se pavarësisht që asnjë student nuk e kishte zgjedhur lëndën e tij “Taktika kriminalistike”, Beka i kishte plotësuar formularët e mbajtjes së ligjëratave. I kishte nënshkruar vetë në cilësinë e dekanit, dhe ishin dërguar për kompensim, pavarësisht se ligjëratat nuk ishin mbajtur. Kjo dyshohet se kishte ndodhur nga tetori 2021 deri në janar 2022. Dyshohet se bëhet fjalë për një shumë rreth 700 euro.

Megjithatë, të gjitha këto pretendime lidhur me dyshimet për keqpërdorim që janë përfshirë në kallëzim penal, po i mohon kategorikisht Agron Beka, anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Çështja e parashtrimit të kallëzimeve penale është çështje (e lirë) e vlerësimeve nga personat e ndryshëm dhe institucionet kompetente. Me qëllim të shmangies së (keq)interpretimit për ndikim në këto lloje të proceseve, mbetet në kompetencën e organeve të sistemit të drejtësisë që të merren/vendosin lidhur me këto çështje”, thuhet në përgjigjen që Beka ia ka dërguar gazetës Nacionale.

Beka ka pretenduar se gjitha këto akuza e kallëzime penale, janë shtyrë nga persona që ai personalisht i ka kallëzuar penalisht. Ai thotë se ka dorëzuar me qindra prova, karshi shkeljeve që kanë ndodhur nga disa persona në Universitetin e Mitrovicës.

Nacionale ka mësuar se edhe Agron Beka ka parashtruar kallëzim penal lidhur me pretendimet e tij. Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Nacionale Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila ka kërkuar që ky rast të kalojë në kompetencën e një prokurorie tjetër.

“Çdo veprim i imi si dekan dhe profesor në UIBM ka qenë dhe është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi, Statutin dhe aktet tjera normative të këtij institucioni (përkundrazi ky institucion është edhe i paditur nga ana ime për kompensimin e disa mijëra eurove që nuk i ka paguar për ligjëratat e mbajtura nga ana ime), ndërsa lidhur me disa abuzues që i kam atakuar me kallëzime penale ju njoftoj se këtu kemi të bëjmë me disa abuzues që kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë ngushtë për interesa personale dhe grupore në UIBM me DISA ZYRTARË TË LARTË SHTETËROR dhe faktet e shumta (mbi 250 prova) që i kam ofruar organeve të drejtësisë besoj se do ta dëshmojnë përgjegjësinë e tyre ligjore, në mesin e tyre edhe për krime ekonomike, falsifikime të dokumenteve zyrtare, konflikt të interesit, keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, pengim në menaxhim, etj”, thuhet në përgjigjen e Agron Bekës për Nacionalen.

Krejt në fund të përgjigjes, Beka ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa për padi edhe ndaj disa mediave. “Uroj që pavarësisht se kush është subjekti si kryes i veprës penale, secili duhet të përgjigjet ligjërisht për veprimet dhe mosveprimet e tij, të sanksionuara me legjislacionin në fuqi dhe verdiktin final të organeve të sistemit të drejtësisë duhet ta respektojmë të gjithë”, përfundon përgjigja e Agron Bekës.

Dyshimet ndaj Bekës dhe Salem Lepajës

Ndaj Agron Bekës ishte ngritur kallëzim penal në gusht të vitit 2022. Kallëzimi ishte ngritur nga dy ish-prodekanë të fakultetit Juridik në Mitrovicë. Beka dyshohej se kishte përfituar jashtëligjshëm 700 euro, nga ligjëratat që nuk i kishte mbajtur.

Madje, përveç tij në këtë kallëzim penal ishte i përfshirë edhe Salem Lepaja. Në opinion Lepaja njihet si profesori i kryeministrit Albin Kurti, i cili në disa intervista të ndryshme, kishte pasur fjalë të mëdha për Kurtin sa ishte student.

Beka në kallëzimin penal e vitit të kaluar dyshohej për konflikt të interesit e keqpërdorim të detyrës zyrtare. “Këto vepra penale i ka konsumuar në atë mënyrë që ka dorëzuar listat e mbarvajtjes së ligjëratës gjatë tërë semestrit dimëror 2021/2022, pa asnjë studentë duke e fshehur. faktin që studentët kanë përzgjedhur lëndën tjetër zgjedhore. Po ashtu, ka ushtruar (ende vazhdon) funksione menaxheriale të cilat e vëjnë në pozitë të konfliktit të interesit dhe këto pozita janë: pozita e Dekanit të Fakultetit Juridik dhe atë të anëtarit të Këshillit Prokurorial”, thuhet në kallëzimin penal që e kishte siguruar Nacionale.

E Salem Lepaja dyshohej për mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Drejtues të Universitetit. “I dyshuari tjetër Salem Lepaja, ka mashtruar dhe kepërdor detyrën zyrtare duke shfrytëzuar pozitën e kryesuesit të Këshillit Drejtues, UIBM, ashtu që me qëllim të mbroj nga ligji Agron Bekën, nuk i ka vendosur në rend të ditës këto kërkesa për zbatimin e ligjshmërisë: kërkesën e prorektores Ajtene Avdullahi lidhur me çështjen e trajtimit të listave të zbrazta; Ankesën e Parlamentit studentor ndaj Dekanit Agron Beka si dhe kërkesën për zbatimin e ligjshmërisë të parashtruar nga Xhemajl Veliqi”, thuhej në këtë kallëzim penal.

Madje, në atë kallëzim penal, Beka dyshohej se kundërligjshëm e ka propozuar veten për anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Megjithatë, nuk dihet nëse këto elemente i përmban edhe kallëzimi penal që ia ka ngritur Policia e Kosovës.

Lajme të ngjashme