“Saga” e rastit Dehari: Qysh u kthyen në punë të shkarkuarit nga Ministria e Drejtësisë? - NACIONALE

“Saga” e rastit Dehari: Qysh u kthyen në punë të shkarkuarit nga Ministria e Drejtësisë?

10 muaj më parë

nga Arbër Ramadani

Ministria e Drejtësisë kishte njoftuar para pak muajsh se ishte shkarkuar nga detyra kryeinspektori Ylber Topalli, në lidhje me rastin Dehari.

Ky shkarkim kishte ardhur pasi Ministria konsideronte se ishin bërë “një sërë gjetjesh faktike” që dëshmojnë shkelje të rënda në një rast të ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit, thuhej ndër të tjera. Por një vendim i ri në lidhje me këtë rast ka ardhur nga KPMShCK. Topalli e Zogaj duhet të kthehen në punë në afat prej 15 ditësh.

Kthehen në punë?

Avokati i Topallit e Zogajt, Faton Fetahu, ka njoftuar se KPMShCK, i ka kthyer në punë, Topallin e Zogajn, duke publikuar edhe vendimet.

“Konfirmohet paligjshmëria e shkarkimit të pabazë dhe arbitrar të Kryeinspektorit të Ministrisë së Drejtësisë z. Ylber Topalli dhe Zyrtarit Korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Prizren z. Destan Zogaj! Të nderuar miq, Kam kënaqësinë që në cilësi të Përfaqësuesit të Autorizuar të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Shërbimit Korrektues të Kosovës z. Ylber Topalli dhe Zyrtarit Korrktues – ish Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren z. Destan Zogaj, t’ju njoftoj se pranova dy vendime të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, përmes të cilëve, përfundimisht konfirmohet paligjshmëria e vënies para përgjegjësisë disiplinore të tyre e cila rezultoi me shkarkimin arbitrar dhe të paligjshëm nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.”, ka shkruar avokati.

Në vendimin e lëshuar më 22.05.2023, konkretisht tek arsyetimi përmendet se raporti i datës 28.09.2022 është akt administrative i paligjshëm. E rrjedhimisht shkarkimi i tyre që vjen nga ky akt sipas KPMSHCK-së, del të jetë i paligjshëm.

Vendimet e Komisionit Disiplinor përmes procesit të nakimimit i nënshtrohen kontrollit të ligjshëmrisë nga ana e Këshillit, prandaj mbi bazën se një akt administrative duhet të thirret në një ligj të caktuar, e fakt i pamohueshëm bazik konstatohet se fakti se Raporti i kësaj date është akt administrative i paligjshëm.” – thuhet ndër të tjera në arsyetim.

Avokati Fetahu i ka quajtur përpjekje të dëshpëruara të Ministrisë së Drejtësisë siç i quan ai shpikjet e fajtorëve rrethanor të fatkeqësisë së Astrit Deharit.

Përpjekjet e dëshpëruara të Ministrisë së Drejtësisë për të shpikur fajtorët rrethanor të fatkeqësisë së para gjashtë viteve të të paraburgosurit A.D, morën përgjigjen e merituar. Përfundimisht u konstatua se Raporti i Komisionit Hetimor të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë (gusht 2022) ishte i porositur politikisht dhe dështoi të mbrohet edhe nga hartuesit dhe porositësit e tij. Ndërkaq, me dy vendimet e lartcekura të Këshillit, është vendosur njëzëri që z. Ylber Topalli dhe z. Destan Zogaj do të kthehen në pozitat e tyre me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës.

Këto dy beteja ligjore që zgjatën rreth dhjetë muaj, nuk do t’i konsideroja vetëm fitore të palëve që unë përfaqësova, por edhe fitore të së vërtetës përballë mashtrimit, i cili u përpoq t’i servohej edhe qytetarëve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë përmes konferencave të jashtëzakonshme për media kur u iniciua procedura disiplinore e paligjshme ndaj tyre” – ka shkruar Fetahu.

Ministria e Drejtësisë pati njoftuar se është shkarkuar nga detyra kryeinspektori Ylber Topalli

Ky shkarkim ka ardhur pasi Ministria konsideronte se janë bërë “një sërë gjetjesh faktike” që dëshmojnë shkelje të rënda në një rast të ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit.

“Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet se: Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurise nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtesisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kan kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit.” – shkruhej në një reagim nga MD.

Video inçizimet

Në arsyetimin e Ministrisë për shkarkimin e Ylber Topallit, përmenden video inçizimet, si dhe dëmi që është shkaktuar.

“Komisioni konstatotn se z.Topalli ka marr nga ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, kopje të video inçizimeve dhe I ka sjell në zyrën e tij, në objektin Ish Rilindja në Prishtinë, gjë që e pranon edhe vet z.Topalli se këto video inçizime janë sjell me USB, për të përpiluar raportin përfundimtar. Këto inçizime i ka marrë me datë 07.11.2016, sipas formës së informatës. Z.Topalli i ka marrë incizimet para policisë dhe në kundërshtim me ligjin, pa parashturar këkesë dhe pa aprovim nga organi kompetent”- thuhej në vendim.

Tutje, aty thuhet se të njëjtat video-inçizime u publikuan në kanalet televizive.

“Komisioni konstaton se publikimi i video inçizimeve ka shkaktuar pasojë të pa riparueshme për Shërbimin Korrektues të Kosovës, familjarët e të ndjerit, të burgosurit që janë pjesë e pamjeve dhe gjithë opinionin e gjerë”- thuhej në arsyetim.

Zëvendësministri Sallahu godet KPMShCK-në

Zëvendësministri Blerim Sallahu ka shprehur “indinjatën” e tij në lidhje me këtë vendim, duke e quajtur të paligjshëm. Ai madje ka ftuar Prokurorinë të angazhohet për këtë rast.

“Këshilli i "Pavarur" Mbikëqyrës i Shërbimit Civil paska kthyer në punë edhe Destan Zogajn e Burim Buleshkajn, të involvuar direkt në rastin Dehari. Të dy sëbashku e bashkë me Ylber Topallin pa asnjë bazë ligjore kanë bartur kamerat nga burgu i Prizrenit drejt në dorën e Dhurata Hoxhes - ish ministre e Drejtësisë.

Organizimi dhe funksionimi kriminal ka adresë. Ftoj sërish PSRK-në të merret me Raportin e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë dhe me procesin e marrjes së këtyre vendimeve nga anëtarët e partive opozitore që e sundojnë KPMSHC-në.”- ka shkruar Sallahu.

Kujtojmë se Astrit Dehari ishte aktivist i partisë tash në pushtet Vetëvendosje. E që nga vdekja e tij, kjo parti pati kërkuar drejtësi për të. Fillimisht me protesta, e pastaj me anë të rrugëve institucionale. Por, ky rast është shoqëruar me skandale e kundërthënje nga më të ndryshmet. Himbja e mostrave, shkarkimi e rikthimi në punë i z. Topallit, janë vetëm disa nga komplikimet e mëdha të këtij rasti.

Lajme të ngjashme