“Rasti Dehari, mori inçizimet, tejkaloi kompetencat”: Çka shkruhet në vendimin për shkarkimin e Topallit? - NACIONALE

“Rasti Dehari, mori inçizimet, tejkaloi kompetencat”: Çka shkruhet në vendimin për shkarkimin e Topallit?

2 javë më parë

nga Arbër Ramadani

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se është shkarkuar nga detyra kryeinspektori Ylber Topalli. Ky shkarkim, i cili mban vulën e Komisionit Disiplionor, ka ardhur pasi Ministria e Drejtësisë, që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, konsideron se janë bërë “një sërë gjetjesh faktike”, që dëshmojnë shkelje të rënda në rastin që ndërlidhet me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit.

“Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet se: Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtesisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kan kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit.” – shkruhet vendiminqë u lëshua nga ministria e drejtësisë.

Në këtë raport, thuhet se Topalli e kishte quajtur rastin e Astrit Deharit, të cilit Ministria i referohet me emër, si vetëvrasje.

Gjatë ditës së djeshme, disa medie raportuan se Topalli do të shkarkohej shkaku i rastit të zhdukjes së mostrave, por një gjë e tillë duket se nuk qëndron. Në fakt, në arsyetimin e këtij shkarkimi, përmenden xhirimet e kamerave të ditës kur ndërroi jetë Dehari, aktivist i VV-së. Në raport, theksohet edhe joprofesionalizmi i treguar nga Topalli.

“Për komisionin nuk është kontestuese se z.Topalli ka nënshkruar dy raporte lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm me rastin e vdekjes së të paraburgosurit A.D dhe se ka cilësime kundërthënëse, me çka i njejti ka qenë joprogresional dhe I papërgjegjshëm gjatë ushtrimit të detyrës.” – thuhet aty.

Video inçizimet

Në arsyetimin e Ministrisë për shkarkimin e Ylber Topallit, përmenden video inçizimet, si dhe dëmi që është shkaktuar.

“Komisioni konstatotn se z.Topalli ka marr nga ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, kopje të video inçizimeve dhe I ka sjell në zyrën e tij, në objektin Ish Rilindja në Prishtinë, gjë që e pranon edhe vet z.Topalli se këto video inçizime janë sjell me USB, për të përpiluar raportin përfundimtar. Këto inçizime i ka marrë me datë 07.11.2016, sipas formës së informatës. Z.Topalli i ka marrë incizimet para policisë dhe në kundërshtim me ligjin, pa parashturar këkesë dhe pa aprovim nga organi kompetent”- thuhet në vendim.

Tutje, aty thuhet se të njëjtat video-inçizime u publikuan në kanalet televizive.

“Komisioni konstaton se publikimi i video inçizimeve ka shkaktuar pasojë të pa riparueshme për Shërbimin Korrektues të Kosovës, familjarët e të ndjerit, të burgosurit që janë pjesë e pamjeve dhe gjithë opinionin e gjerë”- thuhet në arsyetim.

Sipas vendimit të këtij komisioni, një gjë e tillë përbën shkelje të rëndë disiplinore, për çka z.Topalli nuk duhet më ta ushtrojë këtë funksion.

Haxhiu ankohet se s’ka vullnet për ta zbardhur rastin Dehari

Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ditë më parë foli sërisht për rastin e Astrit Deharit dhe zhdukjen e mostrave të tij nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML). Në emision, zonja Haxhiu theksoi se institucionet e drejtësisë nuk po kanë vullnet për ta zgjidhur rastin “Dehari”.

Ajo ka thënë se nuk e di arsyet se pse nuk ka vullnet për zgjidhjen e rastit të Deharit, mirëpo sipas saj, ky rast kërkon prokurorë me integritet të lartë profesional, duke nënkuptuar se prokurorët e tanishëm nuk kanë integritet të lartë.

Edhe rasti Dehari edhe rasti i vjedhjes së mostrave është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale. Unë uroj që sa më parë Prokuroria Speciale të veprojë sepse vetëm gjate kësaj kohe i kemi dërguar mjaftueshëm dokumente, por edhe nëse bazohemi edhe në raportet e Institutit zviceran. Nuk po ekziston vullneti nga institucionet e drejtësisë, nuk mund ta di se përse nuk po ekziston vullneti mirëpo rasti Dehari kërkon prokurorë me integritet të lartë profesional. Unë besoj që ka Kosova prokurorë që kanë guximin e integritetin profesional për të adresuar raste të tilla që janë edhe më të ndjeshme” – ka thënë ajo.

Më tej, për akuzat e deputetët aktualisht të VV-së, Haki Abazit, minsitrja Haxhiu e ka akuzuar atë se po e përdor rastin për qëllime të ulëta.

Ai në një konferencë për media kishte thënë që ka incizime por kur ka shkuar dhe ka dëshmuar asnjëra prej tyre, prandaj është fatkeqësi se si përdoret një rast për qëllime të ulëta.” – ka theksuar ajo.

Ndryshe Nacionale në një seri shkrimesh ka raportuar për skandalin e zhukjes së mostrave të Astrit Deharit, si dhe rastin në tërësi.

Lajme të ngjashme