Rrëfim avokatësh: Si i la të habitur prokurorin e gjykatësin ‘krimineli inteligjent’ - NACIONALE

Rrëfim avokatësh: Si i la të habitur prokurorin e gjykatësin ‘krimineli inteligjent’

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Krimineli inteligjent që kërkoi kodin penal për ta studiuar, sjellja, durimi e mosdurimi i kosovarëve kur kanë punë me avokat dhe klientët e preferuar – janë historitë e një avokati gjatë një bashkëbisedimi të rëndomtë.

"Si punë është shumë atraktive dhe shumë interesant. Njoftohesh me tulifar rasti, tulifar problemi”, më thoshte Bledar Gashi në zyrën e Nacionales, të cilës ia kisha mbyllur derën për të dëgjuar më shumë rreth krimeve të popullit dhe pastaj sjelljeve të tij me klientë.

"Mirëpo, i ka sfidat e veta. Ka presione, sidomos prej familiarëve (të palëve), sepse krejt shpresat për lirimin e tij i kanë tek avokati. Unë i kuptoj shqetësimet sepse ka të bëjë me familjen.”

Sa janë të durueshëm kosovarët kur kanë punë me avokat? Sepse, është punë që kërkon durim e mirëkuptim.

"Shumica nuk janë të durueshëm, por unë prapëseprapë - normal - i kuptoj pse bojnë presione", tregon Gashi.

Kur e pyeta cili është lloji i presionit më i shpeshtë, ai dha një përgjigje të logjikshme dhe të pritshme, por që nuk po e mendoja shumë para se ta thoshte.

"Presioni më i shpeshtë vjen në formën e pyetjes 'kur ka me dalë' (i burgosuri)."

Klientët e preferuar të një avokati rëndom po dalin të jenë personat recedivistë (pra njerëz që ripërsërisin krimet), pasi "ata e kuptojnë më së miri punën e avokatit", thekson Bledar Gashi.

Periudha më e ndieshme dhe më rëndë e përjetuar e një personi që përballet me ligjin, po del të jetë ajo pas arrestimit.

Frustrimi e nervoza është prezente vazhdimisht te pala, derisa t'u shkojë avokati.

“Mendojnë se kurrkush nuk ka me u marrë me ta", thotë Gashi, derisa elaboron në reagimet e klientëve pas arrestimit.

Oh, edhe një gjë... nëse e zini hajnin në shtëpi, thjesht lajmëroni policinë. Mos t'ju shkojë mendja ta sulmoni, vetëm nëse është për vetëmbrojtje, përndryshe e keni punën pisk me ligjin, gjithnjë sipas asaj që po më thoshte përfaqësuesi i ligjit të cilin e kisha ballë për ballë e po i bëja lloj-lloj pyetje, përgjigjet e të cilave po kërkoja të ishin sa më të thjeshta.

Evitimi i termave të sofistikuar juridikë ishte shumë i rëndësishëm, pasi ato pak ose fare u interesojnë vdekatarëve kosovarë, që nuk kanë lexuar ligjin, e as nuk mendojnë ta bëjnë, aq më pak të studiojnë për të.

Edhe për revole e pyeta “çka duhet me bo për me marrë leje” – me avokatin që tregoi procedurat, të cilat dallojnë varësisht nga rrethanat e individit. Shembull, nëse jeta juaj është në rrezik konstant dhe kjo u dëshmohet organeve të rendit, procedurat lehtësohen, për t’u vështirësuar nëse doni për qejf ta mbani atë të cilën populli më shpesh se rrallë thotë se e “mbush shejtani”.

I burgosuri ‘inteligjent’, që kërkoi t’i printohet kodi penal për ta mësuar në çeli

Në fakt, arsyeja pse e kisha ftuar në këtë bashkëbisedim të gjerë e të gjatë, që doli saktësisht 26-minutësh, sipas incizimit me zë, të cilit pastaj unë i futa “sharrën”, ishte për një ‘kriminel inteligjent’.

Një prishtinas, 28-vjeçar, ishte po aq i lidhur me botën e krimit sa unë me të dashurën, me Gashin që thotë se veprat e tij ishin recediviste dhe të vazhdueshme, e që ngërthenin elemente si konsumi, shit-blerja e narkotikëve, armëmbajtja pa leje, rrahjet e gjëra të tilla.

Rrethanat ekonomike e kishin detyruar atë t’i qasej “zejës” së krimit me kaq zell, me Gashin që po më tregonte storien interesante rreth “inteligjencës” jo të zakonshme, të paktën jo në raport me klientët e tjerë me të cilët kishte pasur punë avokati në fjalë.

Madje, ai i kishte kërkuar personalisht Gashit t’i printonte Kodin Penal, për t’u përgatitur sa më mirë në çeli kur t’i dilte përpara trupit gjykues.

“Ky rast iu ka bë përshtypje edhe kolegëve, prokurorit e gjykatësit”, rrëfen fillimisht avokati 29-vjeçar.

“Ka qenë në paraburgim në Hajvali, kur kam shku në konsulta me të, ka kërku me ia printu kodin penal që me qenë i përgatitur gjatë procesit gjyqësor. Është përgatitur aq mirë për veprën e tij për çka është akuzu, e që ka qenë posedim i narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje dhe shkaktim i lëndimit trupor, sa që iu ka lënë shumë përshtypje prokurorit dhe gjykatësit.

Ata kanë mbetur të çuditur kur e kanë pa atë që është futë në sallë me kodin penal të printuar.”

Gashi thotë se, pasi ka përfundu seanca, atij i janë afruar gjykatësi dhe prokuori për ta pyetur “pse dhe si”, qartazi të habitur që një i burgosur po interesohej rreth literaturës ligjore.

Gjatë diskutimit me avokatin, mësova shumë edhe rreth situatave të ndryshme si duhet reaguar e pranuar kur përballeni qoftë me ligjin, qoftë me krimin, të cilat – nëse ky artikull zgjon interesim në audiencë, se për të po bëhet – do t’i ndaj gjatë ditëve në vijim.

Lajme të ngjashme