Punëtorët pa ajër në Pallatin e Drejtësisë – Askush s’jep përgjegjësi
Tash e 3 ditë, punëtorët e Pallatit të Drejtësisë, nga ora 14:00 deri në orën 16:00 po lëshojnë zyret e tyre, duke qëndruar në oborrin e këtij pallati. Arsyeja e qëndrimit në ambient të jashtëm mund të duket qesharake, por është faktori kryesor për jetë. Ajri.
Kjo sepse brenda ambienteve ku punojnë prokurorë, gjyqtarë, bashkëpunëtorë profesionalë, zyrtarë ligjorë e punëtorë të tjerë, temperaturat janë më të larta se jashtë objektit. Ka pasur raste kur prokurorët kanë pësuar sulm në tru si pasojë e kësaj situate.
Brenda Pallatit të Drejtësisë, nuk po funksionon klimatizimi, ajrosja, e nuk hapen as dritaret.
Pasojat e kësaj situate janë vërtet dramatike e fajin së bashku me përgjegjësinë nuk po e merr askush.

Përgjegjësinë s’e merr askush
Kur u ndërtua objekti, gjatë vitit 2011-12, ishte planifikuar që kushtet brenda tij të jenë të një standardi evropian, përfshirë këtu edhe klimatizimin e ajrimin, anipse dritaret ishin planifikuar të jenë ashtu të mbyllura.
“Dritaret janë të mbyllura qysh nga moment i projektimit të objektit, por që ka qenë e kontraktuar që ajrimi të jetë në nivel, gjë që s’ka ndodhur asnjëherë”, tregon Burim Neziri nga Këshilli Grevist.
E për rregullimin e ajrimit brenda objektit, si alternativë duket se për një kohë është parë, mundësia e hapjes së dritareve, por që nuk ka ndodhur asnjëherë.
“Në bazë të informacioneve që i kemi me KPK-në dhe KGJK-në janë nda mjete financiare për hapjen e tenderit për hapjen e dritareve, të cilin tender duhet ta organizojë Ministria e Punëve të Brendshme. Procedurat ndërkohë janë anulu dhe asnjëherë nuk kemi pasë një përgjigje pse kjo ka ndodhë”, shprehet Kryetari i Këshillit Grevist.
Gazeta Nacionale ka pyetur Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe atë Prokurorial në lidhje me shqetësimet e punëtorëve, si dhe për atë se ku qëndron përgjegjësia e këtyre këshillave në lidhje me situatën.
Përgjigje ka pasur vetëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të cilët gishtin e drejtojnë kah Ministria e Punëve të Brendshme.
“Këshilli Gjyqësor është shumë i shqetësuar për kushtet e përgjithshme të punës në Pallatin e Drejtësisë dhe si rezultat i pamundësisë logjistike dhe financiare e ka të pamundur që të ndërhyjë drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes. Kështu që, ju informojmë se mirëmbajtja e Pallatit të Drejtësisë ku është edhe objekti i Gjykatës Themelore i Prishtinës bëhet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ky objekt nuk është në menaxhim të KGjK në aspektin teknik që nga ndërtimi”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
“Në Pallatin e Drejtësisë qëndrojnë ekipet e përhershme të mirëmbajtjes teknike dhe higjienike të kontraktuara nga MPB dhe mbikëqyrur nga stafi inxhinierik i MPB. Për çdo defekt ose mosfunksionim të pajisjeve qoftë edhe sistemi i klimatizimit, gjykata i drejtohet ekipit teknik të MPB-së që gjinden në Pallatin e Drejtësisë dhe për këtë njoftohet edhe KGjK. Shumë herë për probleme teknike që janë paraqitur në Pallatin e Drejtësisë e që nuk kanë marrë përgjigje të shpejtë nga stafi teknik i MPB-së, KGJK u është drejtuar edhe me shkrim zyrtarëve të lartë të MPB dhe Qeverisë për përmirësimin e gjendjes në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet më tutje në përgjigje.
Tutje në email, na është thënë se KGJK “bën thirrje për ndërhyrje urgjente në Pallatin e Drejtësisë”.

Edhe pse kemi nisur email, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë përgjigjje nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Gjithashtu, përgjigjje nga organet kompetente nuk kanë marrë as protestuesit. Ata kanë thënë se ende asnjë përgjigjje apo reagim, ndaj kësaj situate nuk ka shkuar në drejtim të tyre.
Kujtojmë se Pallati i Drejtësisë ishte një projekt i cili u realizua në bashkëpunim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Europian, e ndërtimi i tij filloi në vitin 2011.
Sulm në tru, alivanosje, përgjumje
Burim Neziri, Kryetar i Këshillit Grevist, i cili po udhëheq me këtë protestë, ka rrëfyer pasojat dramatike që po ndodhin brenda objektit të Pallatit, si pasojë e mungesës së ajrimit.

“Pasojat sidomos gjatë stinës së verës janë jashtëzakonisht të mëdha. Kemi më shumë se 10 persona që janë alivanosur. Pothuajse çdo ditë kemi alivanosje. Simptomat e tjera janë: përgjumja, marramendja, hipertensioni, e që ndikojnë drejtpërdrejt në veprimtarinë tonë të punës. Kemi fillu me protestë 2-orëshe, por nëse organet gjegjëse nuk na japin konkretisht përgjigjje, afate kohore se kur do të rregullohet ky problem, protesta jonë do të radikalizohet”, fillon rrëfimin e tij Neziri.
Sikur kjo të mos mjaftonte, brenda këtij pallati që nga jashtë të lë përshtypjen e një ndërtese me standarde të larta, brenda saj, siç rrëfen Neziri, nuk funksionon furnizimi me ujë.
Problem tjetër që ndërlidhet me këtë është mungesa e ujit. Edhe kur kemi ujë ai nuk është i ftohtë. Këtu mungojnë kushtet elementare të punës”, shton tutje Neziri.
E në mungesë të ujit, klimatizimit, e me dritare të mbyllura, pasojat për pak sa nuk u bënë fatale për një prokuror.
Sipas Nezirit, një prokuror ka pësuar sulm në tru shkaku i kësaj gjendjeje, e shumë punëtorë kanë kërkuar pushimin mjekësor, për ta evituar më të keqen.



