Dhjetëra të alivanosur – Punëtorët në Pallatin e Drejtësisë po ngulfaten brenda objektit
Do të duhej të ishin nëpër zyret e tyre, duke kryer punët e përditshme. Por tash e dy ditë, dy orët e fundit të orarit, punëtorët e Pallatit të Drejtësisë po i kalojnë në oborr. Kjo për të protestuar dhe kërkuar hapjen e dritareve dhe funksionalizimin e klimave në objektin ku qëndrojnë së paku 8 orë. Si pasojë që dritaret nuk hapen e as ajër nuk ka, dhjetëra persona janë alivanosur. Nacionale sjell detaje.
Detyra e tyre është mjaft e rëndë. Zbulimi, mbledhja e provave e më pas gjykimi i kriminelëve. Por, për ta kryer këtë punë, duhen shumë njerëz, vullnet e edhe më shumë dije. Por, asnjëra nga këto elemente nuk mjaftojnë në luftën kundër “mullinjve të erës”.
Kush dhe si mund ta luftonte krimin e korrupsionin nga një ambient me dritare të mbyllura, pa klimë, e kur jashtë temperaturat shënojnë mbi 35 gradë? Sigurisht përgjigjja është askush.

Në këto kushte, punojnë tash e sa vite punëtorët e Pallatit të Drejtësisë.
Mbi 10 punëtorë janë alivanosur vetëm gjatë javëve të fundit. Për të protestuar kundër kësaj gjendjeje, punëtorët e Pallatit kanë lëshuar zyret e tyre. Jo vetëm për të marrë ajrin e nevojshëm, por më shumë për të përçuar mesazh se nëse situata vazhdon të jetë e tillë, qytetarët nuk do të mund të marrin shërbime nga ta.
Greva e këtyre punëtorëve po mbahet tash e dy ditë, nga ora 14:00 deri në 16:00.
Prej orës 14:00 deri në orën 16:00, zyrtarë ligjorë, bashkëpunëtorë profesionalë, prokurorë, gjyqtarë, e punëtorë tjerë të Gjykatës dhe Prokurorisë, po lëshojnë zyret e tyre, duke u bashkuar pranë oborrit të pallatit, aty ku të paktën frymëmarrja është më e lehtë.
“Jemi mbledhë për të protestuar me qëllim përmirësimin e kushteve të punës, kemi problem me ajrimin dhe klimatizimin e objektit. Përkundër ngritjes së zërit nga ana jonë ka pasë mungesë të përgjegjësisë nga organet gjegjëse, respektivisht Ministria e Punëve të brendshme nuk ka ndërmarrë asnjë hap për përmirësimin e kësaj situate”, shprehet për Nacionalen Burim Neziri, kryetar i Këshillit Grevist.

“Dritaret janë të mbyllura qysh nga moment i projektimit të objektit, por që ka qenë e kontraktuar që ajrimi të jetë në nivel, gjë që s’ka ndodhur asnjëherë”, tregon më tutje Neziri.
Neziri tutje shpjegon në detaje se si, një tender që do të mundësonte hapjen e dritareve, nuk u jetësua kurrë.
“Në bazë të informacioneve që i kemi me KPK-në dhe KGJK-në janë nda mjete financiare për hapjen e tenderit për hapjen e dritareve, të cilin tender duhet ta organizojë Ministria e Punëve të Brendshme. Procedurat ndërkohë janë anulu dhe asnjëherë nuk kemi pasë një përgjigje pse kjo ka ndodhë”, ka bërë të ditur Burim Neziri.
Ai ka treguar në detaje për pasojat që po i kanë punëtorët për të punuar në këto ambiente.
Mbi 10 të alivanosur, hiper-tension, marramendje e përgjumje, këto janë simptomat dhe pasojat, të cilat sipas Nezirit tashmë kanë ndodhur gjatë këtyre javëve të fundit, e që sipas tij të gjitha këto dërgojnë tek rrugët “radikale” nëse nuk ndërmirret diçka urgjentisht.
“Pasojat sidomos gjatë stinës së verës janë jashtëzakonisht të mëdha. Kemi më shumë se 10 persona që janë alivanosur. Pothuajse çdo ditë kemi alivanosje. Simptomat e tjera janë: përgjumja, marramendja, hipertensioni, e që ndikojnë drejtpërdrejt në veprimtarinë tonë të punës. Kemi fillu me protestë 2-orëshe, por nëse organet gjegjëse nuk na japin konkretisht përgjigjje, afate kohore se kur do të rregullohet ky problem, protesta jonë do të radikalizohet”, theksoi Burim Neziri.
Në shumicën e zyrave, temperaturat shkojnë më lart se 35 gradë celcius. Këtë e thanë edhe punëtorët e tjerë që po protestonin në afërsi të Pallatit të Drejtësisë që gjendet në Hajvali.
“Problem tjetër që ndërlidhet me këtë është mungesa e ujit. Edhe kur kemi ujë ai nuk është i ftohtë. Këtu mungojnë kushtet elementare të punës”, përfundoi rrëfimin e tij Burim Neziri.

Shumë reagime
Nga pushteti aktual, deri më tani ka reaguar vetëm anëtari i Vetëvendosjes, Avni Zogiani. Ai fajin për këtë e ka hedhur tek qeverisjet e kaluara.
“Ngoni shokë nga "drejtësia", ju e dini mirë që ky pallati juj ka kushtuar miliona euro.... edhe e dini mirë që këtu ka pasur keqpërdorime! E nëse as ktë s'keni arritur ta hetoni e gjykoni, mbylleni krejt e mos u ankoni tash!”, ka shkruar Zogiani në Facebook.
E hetim në lidhje me ndërtimin e këtij objekti, kishte kërkuar avokati Yll Zekaj.
“Ashensorët e këtij pallati janë të frikshem, shpesh janë jashtë funksionit, e në shumë raste stafi i pallatit ka mbetur i ngujuar në ta, kurse në një rast 4 zyrtarë të këtij pallati kishin mbetur të lënduar, kur njëri nga këta ashensorë i kishte lëshuar”, shkruante Zekaj.
“Për shkak të sistemit të mbyllur të pallatit dhe mosfunksionimit të sistemit të ventilimit, temperaturat brenda pallatit shkojnë mbi 33 gradë gjatë verës, kurse gjatë dimrit nuk funksionon sistemi i ngrohjes dhe temperaturat në hapësirat e pallatit janë shumë të uëlta. Kurse për shkak të mungesës së oksigjenit, stafi që punon në këtë pallat, përballet me dëmtim serioz të shëndetit. Mungesën e oksigjenit e verën secili që qëndron për një kohë të shkurtë brenda hapësirave të pallatit, e kjo është konstatuar edhe përmes matjeve që janë bërë për nivelin e oksigjenit në pallat”, theksonte Yll Zekaj.
Kujtojmë se ndërtimi i këtij pallati, në të cilin gjenden të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me drejtësinë, ishte bashkëfinancim ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Vlera e ndërtimit kapte shifrën e 30 milionë eurove. 26 milionë të BE-së, e të tjerat nga institucionet e Kosovës.
Gazeta Nacionale do të përcjellë nga afër protestën për ajër e kushte pune të punëtorëve të drejtësisë, për të parë nëse kërkesat e tyre do të plotësohen këtë vit, apo do të përdoret përsëri “taktika e stinës”. Pra ulja e temperaturave e rrjedhimisht shuarja e protestës.


