Prokuroria nisi hetimet, drejtori i shkarkuar nga Bulliqi thotë se provat janë në komunë - NACIONALE

Prokuroria nisi hetimet, drejtori i shkarkuar nga Bulliqi thotë se provat janë në komunë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka nisur hetimet në lidhje me deklaratat që ka dhënë në publik ish-drejtori i Inspeksionit në Podujevë, Besnik Mulliqi.

Ky i fundit e kishte akuzuar kryetarin e komunës, Shpejtim Bulliqin se e ka penguar ta zbatojë ligjin në lidhje me ndërtimet në zonën e Liqenit të Batllavës.

Lajmin për nisjen e hetimeve për këto deklarata publike, e ka konfirmuar për Nacionalen, zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Megjithatë, deri më tash drejtori i shkarkuar nga Shpejtim Bulliqi, nuk ka marrë ftesë për intervistim nga Prokuroria.

Ish-drejtori i Inspeksionit në Podujevë, Besnik Mulliqi, është shprehur sot për gazetën Nacionale se drejtësia duhet ta hetojë gjithë këtë situatë. Sipas tij, shteti duhet ta mbrojë të vërtetën dhe të drejtën.

“Unë nuk kam marrë thirrje nga Prokuroria. Unë ato çka i kam thënë iu rri pas, normalisht që në një vend normal, ish dashtë drejtësia me e shiku komplet këtë situatë. Jo për shkak të Besnikut, absolutisht jo. Por me mbrojt të drejtën dhe të vërtetën”, ka thënë Mulliqi për Nacionalen.

Sipas tij, provat janë publike dhe dokumentet ekzistojnë në komunë.

“Unë veç i kam thënë publikisht, gjithashtu dokumentet e ato të gjitha provat gjenden në institucion. Janë publike dokumentet. Nuk jam njohës i drejtësisë, por vërehet që ka pasur një qëllim të caktuar”, ka thënë Mulliqi për Nacionalen.

Deri te shkarkimi i drejtorit të Inspeksionit, ka ardhur për shkak të disa rrënimeve të objekteve pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës.

Menjëherë pas shkarkimit, Besnik Mulliqi e kishte akuzuar kryetarin e Podujevës, se e ka penguar në zbatimin e ligjit në atë zonë.

“Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekve të mia të vazhdushme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar! Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdoj të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz”, kishte shkruar në facebook Mulliqi.

Bulliqi dhe Drejtoria e Inspekcionit

Edhe pse me rezultat të ngushtë, llapjanët më lehtë u rehatuan me kryetarin e Podujevës sesa drejtorin e Inspekcionit. Brenda pak më shumë se një viti, Bulliqi ndërroi 3 drejtorë.

Vilat luksoze dhe mbindërtimet pa leje u bënë mollë sherri që VV-ja e profilizuar si e majtë në Podujevë të përçahet. Asnjë drejtor i Inspekcionit nuk po i bie tamam Shpejtim Bulliqit.

Sikur pararendësit i tij, Bedri Maqastena dhe Ajet Potera, edhe Besnik Mulliqi u shkarkua së fundmi nga kryetari.

Nacionale mëson se kryetari e shkarkoi Mulliqin për shkak të vilave luksoze te Liqeni i Batllavës dhe ndërtimeve pa leje në qendër të Podujevës.

Kryetari i Podujevës e shkarkoi aktivistin e VV-së me arsyetimin e performancës së dobët, por këtë s’e beson as LDK-ja.

Asamblisti i LDK-së, Qendrim Softolli, ka thënë se këto shkarkime janë hakmarrje politike, sepse s’janë pjesë e krahut të Shpejtim Bulliqit.

“Sa i përket shkarkimeve, është mjaft shqetësuese se si brenda një mandati janë shkarkuar tre drejtorë të inspekcionit me arsyen ‘performancë e dobët’, që është pak e besueshme. Nëse do të ishte ashtu, së pari do të duhej shkarkohej drejtori i Urbanizmit apo Shërbimeve Publike, sepse vetëm 12% kanë realizuar buxhetin për projekte kapitale”, Qëndrim Softolli.

“Është shqetësuese sjellja e kryetarit karshi drejtorëve të inspeksionit dhe punëtorëve të administratës, para disa ditëve patëm edhe një deklaratë të kryetarit rreth transfereve që i ka bë ai brenda administratës së komunës, si hakmarrje politike, ndaj atyre që shprehën vullnetin e tyre të përkarhin krahun e kundërt të Shpejtimit... transfere prej dikastereve totalisht të kundërta”, Qëndrim Softolli.

Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje nga zyrtarët komunalë lidhur me këto zhvillime jo të zakonshme në Podujevë, por të njëjtit s’kanë qenë të gatshëm të japin përgjigje.

Lajme të ngjashme