“Prokuroria i manipuloi deklaratat” – Vazhdon beteja në Hagë për intervistën e Dastid Pallaskës në RTK
Disa deklaratat të avokatit që është pjesë e ekipit të mbrojtjes së Thaçit, Dastid Pallaska, kanë shkaktuar përplasje të ashpra në Dhomat e Specializuara të Hagës. Intervista e Pallaskës në RTK, duket se është kthyer në një “mollë sherri” për një betejë të re ndërmjet Prokurorisë dhe mbrojtjes.
Nacionale raportoi javë më parë se Prokuroria ishte ankuar pasi pretendonte, se deklaratat e Pallaskës ishin të pavërteta dhe e cenonin punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Pallaska në RTK kishte folur për gjykimin e UÇK-së si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, tentimin për ta kriminalizuar pavarësinë e Kosovës dhe kishte dhënë disa vërejtjet për Prokurorinë.
Pas shkresës së Prokurorisë, ekipi mbrojtës i Thaçit është përgjigjur me një tjetër parashtrim. Aty, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës ka akuzuar Prokurorinë se qëllimshëm i ka manipuluar deklaratat e Pallaskës.
Në parashtrimin që e ka parë Nacionale, mbrojtja e Thaçit e ka transkriptuar gjithë intervistën e Dastid Pallaskës në RTK, duke vlerësuar se Pallaskës i është cenuar reputacioni nga manipulimet e Prokurorisë.
“Mbrojtja e z. Hashim Thaçi i përgjigjet “Kërkesës për kujdes z. Dastid Pallaska” të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (“SPO”). Më së shumti, ZPS përmes përdorimit të elipsave, ka manipuluar vërejtjet e z. Pallaska. Por transkripti i komenteve televizive të z. Pallaska, të cilat ZPS në mënyrë të pashpjegueshme i depozitoi në mënyrë konfidenciale për të parandaluar publikun që t'i shihte ato, e bën të qartë se z. Pallaska i referohej qëllimit të Serbisë për të kriminalizuar Kosovën si shtet, jo të Prokurorisë. Ky manipulim i provave nga PSP-ja për të prodhuar akuza publike kundër avokatit duhet të trajtohet në mënyrë të duhur nga Trupi Gjykues”, thuhet në këtë parashtrim, transmeton Nacionale.
“Mbrojtja mohon që vërejtjet e z. Pallaska të ishin të rreme ose mashtruese. Për më tepër, standardi që duhet të plotësojë kërkesa e Prokurorisë është përcaktuar në Urdhrin e Trupit Gjykues për zhvillimin e procedurës, i cili e bën të qartë se ZPS-ja duhet të provojë se avokati bëri vërejtje të cilat ishin “mashtruese me qëllim ose me vetëdije”. Këtu, kërkesa e Prokurorisë nuk bën asnjë lëvizje për të arsyetuar pretendimin se z. Pallaska ka bërë deklarata mashtruese në intervistën e tij për RTK Prime, aq më pak se deklaratat e z. Pallaska kanë qenë mashtruese qëllimisht ose me vetëdije”, thuhet më tutje në këtë parashtrim të ekipit mbrojtës të Thaçit.
Lidhur me deklaratat e Pallaskës në RTK se Ushtria Çlirimtare e Kosovës po gjykohet si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, mbrojtja ka vlerësuar se kjo temë është ende subjekt i gjykimit nga Dhoma e Apelit. Sipas mbrojtjes, tentimet e tilla të Prokurorisë, ceojnë lirinë e shprehjes.
“Përpjekja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të heshtur kritikat legjitime dhe për të imponuar një efekt rrëqethës mbi shprehjen e lirë përbën shkelje të së drejtës së z. Thaçi për një “dëgjim të drejtë dhe publik” dhe të së drejtës së z. Thaçi dhe avokatëve të tij për shprehje të lirë, në shkelje e Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në parashtrim.
Një tjetër pikë ku është ndalur mbrojtja e Thaçit ndërlidhet për deklaratat e Pallaskës lidhur me tentativat për ta kriminuar pavarësinë e Kosovës. Ekipi mbrojtës i Thaçit ka sqaruar duke transkriptuar intervistën e plotë, se Pallaska e ka pasur fjalën për tentativat e Serbisë për kriminalizim të shtetit të Kosovës, e jo të Prokurorisë. Sipas mbrojtjes, ky ishte manipulim i pastër.
“Pretendimi i Prokurorisë bazohet në dy pjesë të shkurtuara dhe të shkëputura nga intervista e z. Pallaska me RTK Prime, të cilat u keqinterpretuan si një pasazh i vetëm i një deklarate të vetme dhe/ose pjesë të së njëjtës deklaratë dhe/ose deklarata për të njëjtën temë. Në fragmentin e mëposhtëm, pjesa e theksuar në lidhje me agjendën e Serbisë kundër Kosovës u shkri artificialisht me fragmentin e parë, duke rezultuar në një manipulim të tekstit të intervistës”, thuhet në parashtrim.
“Më pas, z. Pallaska nuk deklaroi se qëllimi i Prokurorisë është ta shpallë Kosovën shtet kriminal. Komentet e tij për qëllimin për ta shpallur Kosovën shtet kriminal i referoheshin ekskluzivisht Serbisë. Në këtë pjesë të intervistës, z. Pallaska diskutoi përpjekjen e Serbisë për të rishkruar historinë e Kosovës, dhe shprehimisht deklaroi se “[mund të ndodhë që ky të mos jetë qëllimi i prokurorisë”. Në mënyrë të pashpjegueshme, Prokuroria nuk i përfshiu këto vërejtje në dosjen e saj publike”, thuhet në parashtrim.
Prokuroria kishte kërkuar që Dastid Pallaskës t’i tërhiqet vërejtja lidhur me këto deklarata. Tash vendimi i takon trupit gjykues.