Problemi që e pranoi edhe trupi gjykues: A do të ketë tash më shumë seanca të hapura në Gjykatën Speciale? - NACIONALE

Problemi që e pranoi edhe trupi gjykues: A do të ketë tash më shumë seanca të hapura në Gjykatën Speciale?

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Një nga problemet më të theksuara që kur ka nisur gjykimi ndaj krerëvë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë fakti që pjesa më e madhe e seancave janë zhvilluar të mbyllura për publikun.

Përveç masave strikte mbrojtëse për dëshmitarët e viktimat, publiku në Kosovë pak apo fare nuk ka parë e dëgjuar lidhur me atë se çfarë po bëhet në gjykim.

Ky problem është pranuar edhe nga vetë trupi gjykues. Ky i fundit i dha kohë Prokurorisë e mbrojtjes që deri në fund të këtij muaji, ta gjejnë një zgjidhje që seancat të jenë sa më shumë publike.

“Trupi gjykues është i shqetësuar se të gjitha provat janë dëgjuar në seanca private. Kujtojmë se në bazë të ligjit, të akuzuarit kanë të drejtë të dëgjojnë seanca publike. Është interesi i publikut sa më shumë që këto procedura të jenë publike. Palët dhe pjesëmarrësit duhet të respektojnë karakterin publik të procesit”, tha kryetari i trupit gjykues, raporton Nacionale.

Mbyllja e seancave i ka shkaktuar problem edhe monitoruesve. Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka deklaruar për gazetën Nacionale se seancat private, ndikojnë në transparencën mes gjykatës dhe publikut.

“Gjykata duhet të kujdeset që pjesët e dëshmisë të cilët nuk lidhen me identitetin e dëshmitarit apo familjarëve të tij të jenë të hapura për publikun. Në Kosovë dhe më gjerë këto procese janë duke u përcjellë me shumë interesim të madh, mbyllja e seancave në një forme ndikon edhe në transparencën mes gjykatës dhe publikut, pasi që edhe publiku në përfundim të procesit gjyqësor duhet të krijon një përshtypje të vetë në rast se gjykata ka pasur mjaftueshëm prova për një vendim meritor”, deklaroi Alija.

Deri më tani kur janë dëgjuar 5 dëshmitarë, kanë qenë minimale rastet kur seancat janë hapur për publikun.

Përplasja e Ben Emmersonit me gjyqtarin

Trupi gjykues iu dha afat palëve që deri më 31 maj të dalin me propozime. Megjithatë, kryetari i trupit, Charles Smith pati kritika edhe për mbrojtjen, pasi tha se gjatë pyetjeve po përmendin emrat të dëshmitarëve e viktimave.

“Trupi gjykues vendosi që argumentet ligjore dhe paraqitja e provave të bëhet në seanca të mbyllura vetëm kur është rreptësisht e nevojshme. Për fat të keq deri tani një pjesë e madhe e gjykimit është bërë në seancë të mbyllur, nevoja për mbrojtjen e dëshmitarëve është përligjje e masave mbrojtëse nga ana e trupit gjykues. Kjo është e nevojshme për të mbrojtur dëshmitarët, por është e rëndësishme që gjyqi të jetë publik dhe që trupi gjykues të shqetësohet më pak”, deklaroi Smith.

Me këtë nuk u pajtua avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

“Çdo devijim nga kjo është rezultat i kërkesës së Prokurorisë, i aprovuar nga trupi gjykues. Ju mund të mos e keni këtë qëllim, por pasi është një nga gjërat e pakta që publiku mund t’i shikojë, është formuluar se mbrojtësit janë fajtorë për këtë. Nuk kemi krijuar probleme të tilla sepse kemi qenë në seanca private. Përshtypja që mund të krijohet publikut nga urdhri që dhatë, është se mbrojtja jemi pajtuar me këtë situatë që është krijuar me këtë situatë”, tha Emmerson.

Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të vazhdojë të hënën.

Lajme të ngjashme