Avokati i Kadri Veselit “kapet” me gjyqtarin për mbajtjen e seancave të mbyllura
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka pasur një përplasje me kryetarin e trupit gjykues, Charles Smith, në rastin e krerëve të UÇK-së.
Krejt kjo pasi gjyqtari Smith kërkoi që mbrojtja të jetë e kujdesshme në pyetjet e saj ndaj dëshmitarëve, që seancat të jenë publike e të mos zbulohen detaje për dëshmitarët.
Këtu ka reaguar avokati Ben Emmerson, i cili tha se fajin për seancat private e ka krejtësisht Prokuroria, e jo mbrojtja, raporton Nacionale.
“Çdo deivjim nga kjo është rezultat i kërkesës së Prokurorisë, i aprovuar nga trupi gjykues. Ju mund të mos e keni këtë qëllim, por pasi është një nga gjërat e pakta që publiku mund t’i shikojë, është formuluar se mbrojtësit janë fajtorë për këtë. Nuk kemi krijuar probleme të tilla sepse kemi qenë në seanca private. Përshtypja që mund të krijohet publikut nga urdhri që dhatë, është se mbrojtja jemi pajtuar me këtë situatë që është krijuar me këtë situatë”, tha Emmerson.
Gjyqtari Smith tha se ka pasur raste kur avokatët kanë bërë pyetjet që kanë zbuluar detaje për dëshmitarët. Kjo pavarësisht se pothuajse të gjitha seancat deri më tash kanë qenë të mbyllura.
“Ka pasur momente kur janë përmendur emra, ka pasur shkelje të paqëllimshme dhe kanë krijuar problem, dhe duhet të kemi parasysh që të mos kemi këto lloj shkelje”, tha ai.