Miku vertikal: Policia e Sllovenisë lë të kuptohet se Martin Berishaj po hetohet për shpëlarje parash - NACIONALE

Miku vertikal: Policia e Sllovenisë lë të kuptohet se Martin Berishaj po hetohet për shpëlarje parash

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas Prokurorisë, edhe Policia e Sllovenisë nuk i ka mohuar hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Policia sllovene ka thënë për Nacionalen se nuk mund të japin detaje për personat ndaj të cilave po zhvillojnë procedura. Pra, në rastin konkret ndaj ambasadorit Berishaj, po zhvillohen procedura të tilla

Në përgjigjen që Policia e Sllovenisë e ka dhënë për gazetën Nacionale, kanë theksuar se legjislacioni atje, ua ndalon të ofrojnë detaje. Megjithatë, Policia sllovene nuk i ka mohuar hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

“Në përputhje me legjislacionin slloven, për shkak të mbrojtjes të të dhënave personale, nuk mund t'u përgjigjemi pyetjeve, duke iu referuar personave fizikë konkret. Prandaj, nuk mund të iu dërgojmë asnjë informacion për persona konkret, kundër të cilve ne po udhëheqim procedurat paraprake”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Sllovenisë për gazetën Nacionale.

Vetëm pak ditë më parë, edhe Prokuroria e Sllovenisë e kishte lënë të hapur mundësinë për hetime ndaj ambasadorit Martin Berishaj.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, ju informojmë se nuk mund të transmetojmë informacione për procedurat e mundshme paraprake për shkak të interesit të procedimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë sllovene për Nacionalen.

Martin Berishaj tashmë është e konfirmuar zyrtarisht që në Kosovë po hetohet për raportim të rrejshëm të pasurisë. Për këtë, Agjencia Kundër-Korrupsion kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurori, pas raportimit nga gazeta Nacionale. Megjithatë, kjo nuk është çështja e vetme për të cilën Prokuroria po e heton Berishajn.

Ditë më parë, grupi Koha duke u thirrur në burimet e veta kishte raportuar se ambasadori Berishaj, po hetohet nga Prokuroria Speciale edhe për shpërlarje parash.

Vetëm pak ditë më parë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ishte sulur prokurorëve kosovarë, duke theksuar se kanë për qëllim ta dëmtojnë qeverinë Kurti.

“Asnjë nga njerëzit që kanë marrë përgjegjësi për ndryshime thelbësore në këtë vend, nuk janë të sigurt nga hapja e hetimeve të prokurorisë, duke e njohur edhe profesionalizmin e një pjese të prokurorëve, pore dhe duke e njohur edhe nevojën e domosdoshme për një vetting të mirëfiltë”, kishte thënë Gërvalla në Rubikon të Klan Kosovës.

Ndaj kësaj reagoi edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës me një komunikatë për media.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës ia rikujton Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke e trajtuar në mënyrë ligjore një kallëzim penal të pranuar nga Agjencia Kundër Korrupsion. Andaj, çfarëdo konspiracioni i ngritur nga ajo lidhur me këtë çështje është i paqëndrueshëm, joprofesional dhe përbënë tentim për njollosjen e sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.

Agjencia Kundër-Korrupsion kishte dorëzuar kallëzim penal, pasi dyshohet se ambasadori Martin Berishaj nuk i ka deklaruar dy kompani të cilat i ka në Malin e Zi. Kjo erdhi pas kërkesës për hetime nga gazeta Nacionale.

Afera e Martin Berishajt

Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni kishte shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Një televizion slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

Lajme të ngjashme