Plani i përgatitur: Cila ishte historia e veturave Mercedes dhe Jeep, që e vëzhguan terrenin para sulmit në Banjskë?
Gazeta Nacionale tash e dy ditë ka sjellur detaje ekskluzive nga aktakuza për sulmin terrorist në Banjskë.
Në dosjen e Prokurorisë mbi 150 faqe, Prokuroria Speciale ofron prova se si ishte përgatitur krejt plani i terroristëve.
Një nga detajet që e dëshmon këtë është përfshirja e dy veturave, njëra Jeep e tjetra Mercedes, në vëzhgimin e terrenit në Banjskë të Zveçanit për orë të tëra.
Nëpërmjet kamerave të sigurisë, Prokuroria ka faktuar se këto dy vetura kanë bartur terroristët, dhe kanë vëzhguar krejt hapësirën gjithashtu.
“Po ashtu, vlen të ceket se roli i të pandehurve me këto vetura ka qenë monitorimi i situatës deri në vendosjen e barrikadave (kamionëve në urën e fshatit Banjskë) dhe më pas veturat largohen nga fshati Banjskë në drejtim të udhëkryqit Banjskë/Zveçan - Leposaviq apo në drejtim të fshatit Zherovnicë. Automjeti Mercedes vërehet se ka lëvizje të vazhdueshme, më datë 23.09.2023 nga ora 22:20, e deri në ora 01:36 të datës 24.09.2023, kur edhe shihet se largohet nga fshati Banjskë/Zveçan. Në video incizimet e analizuara, në ora 22:20 me datë 23.09.2023, vërehet automjeti Mercedes tek Fontana në Banjskë, Zveçan dhe vazhdon në drejtim të urës së fshatit”, thuhet në aktakuzë.
Me të njëjtat pamje, vërtetohet se pas vrasjes së policit, vetura largohet nga Banjska.
“Duke analizuar pamjet e video incizimeve të lëvizjes së automjetit Mercedes, vërtetohet se ky automjet sjellë personat e armatosur dhe me uniforma të grupit, sipas pamjeve të kamerave të kafiterisë te “Fontana”, shihet duke u larguar nga fshati Banjskë, Zveçan, në ora 02:00 me datë 24.09.2023”, thuhet më tutje aty.
“Duke analizuar pamjet e video incizimeve të lëvizjeve të automjetit Mercedes, në bazë të regjistrimit në bazën e të dhënave dhe pamjeve të CCTV në pikë kalimin kufitar në Jarinje, shihet i pandehuri Nikola Ilic me veturë duke u larguar nga Republika e Kosovës në drejtim të Republikës së Serbisë, në ora 17:32 me datë 25.09.2023”, theksohet në aktakuzë.
Rol pak a shumë të njëjtë kishte pasur edhe vetura Jeep.
“Në bazë të pamjeve nga kamerat e kafeterisë te Fontana, automjeti Jeep Cherockee, shihet i parkuar në afërsi të rrethit të Fontanës, ndërsa personat që shihen në veturë (në rroba civile) në ato momente qëndronin jashtë veturës, derisa atyre iu bashkëngjitet edhe një person i armatosur dhe me uniformë, i cili vinte nga drejtimi i Manastirit, në ora 02:11 me datë 24.09.2023”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
“Në bazë të verifikimeve dhe pamjeve të siguruara nga kamerat zyrtare të pikës kufitare në Jarinje, shihet i pandehuri Miljan Nedeljkovic me veturën Jeep Cherockee duke hyrë në Republikën e Kosovës nga Republika e Serbisë, në ora 18:22 me datë 23.09.2023. Ndërsa, me datë 24.09.2023 në ora 19:47, ka lëshuar Republikën e Kosovës përmes pikës kufitare në Jarinje duke kaluar në Serbi, me automjetin me targa NS-721-NO”, thuhet aty.